PDK-ja e bindur se e vetme do t’i fitojë zgjedhjet, nuk i përjashton as koalicionet

Tri partitë më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, kanë vendosur t’i futen garës në zgjedhjet e 6 tetorit veç e veç. Vlerësohet se këto zgjedhje do t’i matin forcat reale të partive, mirëpo edhe do të kontribuojnë në rritjen e pazareve të tyre pas zgjedhjeve, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, në një prononcim për “Zërin” është shprehur i bindur se partia e tij do të dalë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, pavarësisht se do të shkojë e vetme në zgjedhje.

“Mendoj se shkuarja e PDK-së e vetme në zgjedhje do të jetë shumë pozitive për ne. PDK-ja do të dalë e para në zgjedhje dhe do të ketë mundësinë ta formojë qeverinë. Ne e kemi marrë këtë parasysh, duke pasur atë se partia është shumë e organizuar dhe besoj që do të dalim fitues nga këto zgjedhje”, ka thënë Haliti.

Mirëpo ai nuk e ka përjashtuar as mundësinë e lidhjes së koalicioneve paszgjedhore me partitë tjera, në rast se nuk i fitojnë 51 ulëse në Kuvend.

“Koalicionet, duke i pasur parasysh rrethanat në Kosovë janë të domosdoshme pas zgjedhjeve dhe ne do të shohim se me kë do të shkojmë në koalicion, sepse nëse nuk i kemi 50 +1 që të mundë ta formojmë të vetme qeverinë, atëherë patjetër duhet të kërkojmë partner koalicioni. Kjo varet se me kë do të bisedojmë dhe kush është më i gatshëm t’i bashkohet PDK-së”, ka shtuar tutje ai./Zëri/