PDK-ja kundër ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit

Qeverisë së Kosovës në krye me Ramush Haradinajn pritet t’i dalin probleme të brendshme serioze sa i përket ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit.

Kjo për shkak se PDK-ja, partneri kryesor i tij qeverisës, ka dal kundër ndërtimit të kësaj autostrade që pritet të kalojë nëpër Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe Prizren, ka raportuar KTV.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që vjen nga radhët e PDK-së, ka deklaruar se ndërtimi i autostradës në fjalë nuk është i nevojshëm për vendin, pasi që sipas tij, ka tema shumë më të rëndësishme për investim sesa rrugët.

“Mendoj që duhet me pa përtej këtyre problemeve, përtej asfaltit. Me trajtu çështjet qysh është arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit që janë tepër të rëndësishme për kualitetin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri, transmeton KTV.

Kundër ndërtimi të autostradës ka dal edhe opozita kosovare për shkak të dyshimit se kjo mund të çojë eventualisht në afera të reja të korrupsionit.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka theksuar se me shumë pak para mund të bëhet riparimi i rrugëve ekzistuese që lidh këto qytete.

Mirëpo, nga Ministria e Infrastrukturës thonë se Dukagjini nuk duhet të mbesë pa autostradë meqë mjetet buxhetore për këtë ekzistojnë.

Punimet për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit pritet të nisin në muajin tetor të këtij viti dhe çmimi i saj do të kushtojë rreth 1 miliard euro.