PDK-ja në garë pa themelin e partisë

Nga gara zgjedhore e 6 tetorit janë tërhequr vullnetarisht ose janë detyruar të tërhiqen disa politikanë nga shumë subjekte politike në Kosovë. Për arsye të ndryshme figura të rëndësishme të partive, por edhe ish-deputetë nuk do të jenë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në legjislaturën e ardhshme, shkruan Gazeta ‘Zëri’.

Partia Demokratike e Kosovës në listën e saj zgjedhore të kandidatëve për deputetë nuk do t’i ketë të radhitur themeltarët e partisë.

Për marrjen e mandatit të deputetit nuk do të garojnë Adem Grabovci e Zenun Pajaziti, për shkak të aktakuzave të ngritura nga gjykata për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” në rastin “Pronto”.

Sami Lushtaku për shkak të aktakuzës për “Arratisje nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës”, në të cilën po merrte trajtim shëndetësor gjatë kohës kur ai ndodhej në paraburgim, në rastin “Drenica”, shkruan më tutje Gazeta ‘Zëri’.

Sokol Bashota për shkak të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë”. Dhe Agim Çeku e Shukri Buja mbi të cilët rëndon aktakuza për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar” në rastin “Veteranët”.

Ndonëse për arsye tjera, në këtë garë nuk do të hyjnë as ish-deputetët e legjislaturës së kaluar Flora Brovina, Sala Berisha-Shala dhe deputeti Nait Hasani. /Zëri/