PDK-ja në Rahovec reagon kundër aderimit në zyren e kryetarit të komunës

Partia Demokratike e Kosovës-Dega në Rahovec, përmes një reagimi ka shprehur shqetësimin e saj për mënyrën se si kryetari i komunës së Rahovecit, njëkohësisht kryetar i AAK-së në Rahovec, Smajl Latifi, përdor zyrat e institucioneve të Republikës së Kosovës, konkretisht zyrën e kryetarit të komunës, për të bërë aderime dhe propaganda partiake.

“PDK veprimet e tilla i konsideron të papranueshme, njëkohësisht të dëmshme dhe të rrezikshme për zhvillimin e institucioneve në vendin tonë, sepse kjo zyre duhet të shërbejë për zgjedhjen e problemeve të qytetarëve pa dallime politike e partiake dhe jo të militantëve partiakë! Kryetari Latifi, edhe njëherë e dëshmoi se është keqpërdorues i madh, i cili nuk din se çka janë dhe për çka në të vërtetë shërbejnë institucionet!”, thuhet në reagimin e Departamentit për Komunikim me Publikun të Degës së PDK-së në Rahovec.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi të mërkurën në rrjetet sociale pohoi se i ka uruar mirëseardhje Arbnora Sokolit në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“Znj. Sokoli është sportiste e shquar në Rahovec si dhe mësimdhënëse e Edukatës Fizike. Ndihem shumë mirë kur programi i AAK-së tërheq njerëz të profilit të tillë, një dëshmi kjo se Aleanca është në rrugën e duhur!”, theksoi Latifi.