PDK përkrah Qeverinë Kurti për reciprocitetin e targave me Serbinë

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Abdullahu, në një pronocim për Gazetën Insajderi, ka folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për reciporictet të targave me Republikën e Serbisë, duke thënë se e përkrahin një vendim të tillë, por që urojnë që këto veprime të jenë të menduara paraprakisht dhe profesionalisht.

Abdullahu gjithashtu shtoi se Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos zmbrapset nga ky vendim, shkruan Gazeta Insajderi.

“Parimisht ne jemi për të gjitha ato veprime të Qeverisë aktuale të cilat shkojnë në dobi të forcimit të shtetit, sidomos të integritetit territorial dhe sovranitetit”.

“Zhvillimet e fundit në veri jemi duke i përcjell me vëmendje të shtuar. Na vije mirë që Qeveria aktuale merr përgjegjësi dhe tani në këtë segment është e prirë nga një mendësi politike e kahershme institucionale. Urojmë që ato veprime sot në veri të jenë menduar paraprakisht dhe profesionalisht. Konsiderojmë se është e udhës që të merret mundi dhe tu shpjegohet komunitetit serb se krejt kjo nuk është e drejtuar kundër tyre në asnjë variant. Shpresojmë gjithashtu se janë menduar profesionalisht të gjitha veprimet me qëllimin që të ketë siguri të plotë, sidomos për policët tanë të cilët janë pjesë e operacionit. Kërkojmë nga Qeveria aktuale që të mos zmbrapset e ndërpres zbatimet e qëllimit të aspiruar” – u shpreh ai.

Kujtojmë që nga sot Policia e Kosovës nuk do të lejojë asnjë veturë me targa të Serbisë që të hyjë në vend pas vendimit për reciprocitet nga Qeveria e Kosovës./Insajderi.org/