PDK prezanton kandidatin për kryetar të Ferizajt

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të synojë edhe një mandat tjetër qeverisës në komunën e Ferizajt. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj gjatë ditës sotme ka prezantuar Agim Aliun, si kandidat për kryetar të Ferizajt në zgjedhjet e sivjetme lokale.

Aliu i cili është kryetar aktual i Ferizajt u tha se është kryetari model për gjithë Kosovën. Ndërkohë, Hoxhaj ka thumbuar edhe rivalët e tij politikë dhe kryeministrin Albin Kurti, për të cilin tha se po kultivon nepotizmin.

Duke prezantuar Aliun si kandidat të PDK-së për kryetar të Ferizajt, Hoxhaj tha se puna e tij shihet në çdo lagje dhe fshat të Ferizajt.

“Nuk ka komunë në Kosovë, ku komuna është shembull dhe nuk ka kryetar të komunave në Kosovë që është kryetar i komunës model, sikurse që është Agim Aliu. Prandaj kur kryetari i komunës është më i miri, është i dashur nga qytetarët, nuk kemi nevojë ta ndryshojmë. Prandaj sot jam këtu që t’i them tri gjëra. Së pari ta falënderojë në emër të PDK-së për punën e madhe dhe të suksesshme që ka bërë kryetari, për qeverisjen e mirë në komunën e Ferizajt. Së dyti i kërkojë agimit që të jetë edhe një mandati për kryetar të komunës dhe gjithë ne i themi po kandidaturës së Agim Aliut. Së treti, si parti e lirisë, pavarësisë dhe ndryshimit këtë model ta bartim në shumë komuna të tjera të Kosovës. Kudo që lëviza në qytet edhe nuk është vetëm sot që jam në Ferizaj, e pash dorën dhe punën e Agim Aliut. E pash dinamikën e punëve dhe gjallërinë. Në punën që ka bërë deri tash, në ndryshimin që po e bënë kryetari juaj i komunës është ka zhvillon komunën. Çdo lagje e qytetit, çdo fshatë i komunës së Ferizajt nuk e ka pamjen e njëjtë siç e ka pasur para disa vitesh, falë punës së kryetarit. Këto ndryshime që po ndodhin në komunën tuaj e kanë vulën, e kanë pasionin dhe përkushtimit të një kryetari që e donë qytetin dhe komunën e tij”, tha ai.

Hoxhaj shtoi se Lëvizja Vetëvendose i prinë modelit të regresit, mashtrimit dhe popullizmit.

Duke ironizuar, Hoxhaj tregoi edhe rrjedhën e fjalës “nepotizëm”, që sipas tij, po pasqyrohet ditëve të fundit në qeverinë Kurti.

“Modeli i dytë nënkupton regres, shkuarje prapa, mashtrim dhe populizëm që është model i partive tjera politike, por që i prinë sot Lëvizja Vetëvendosje. Një model i cili, siç do të thoshte zotëri Kurti para disa vitesh, ne nuk do të shkojmë kurrë në Bruksel, në negociatat me Serbinë pa kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë, apo ne nuk do të shkojmë në negociata me Serbinë pa u gjetur i pagjeturi i fundit. Edhe sot kryeministri Kurti ka vendosur të shkojë në Bruksel pa i plotësuar këto kërkesa. Ndërsa para disa vitesh akuzonte shokët tanë për tradhti kombëtare në një përpjekje të tyre për ta nënshkruar një marrëveshje për normalizim me Serbinë dhe anëtarësuar Kosovën në OKB. Natyrisht që çdo qytetarë i Kosovës ka pritur që një kryeministër tillë të ketë sjellje të despotizmit, por çfarë po shohim këto ditë është se po kultivon nepotizmin dhe po bëhet qesharak në arsyetimin e tij për nepotizmin. A e dini që fjala nepotizëm rrjedh prej fjalës nip, çka bënë daja për nipin, daja e shtinë punë nipin. Bislimi dhe Albini një ditë kishin mbajtur një fjalim dhe njëra prej formulimeve të famshme është se ne me çdo kusht do ta luftojnë nepotizmin dhe komplet stafi që kishin me veti thoshin bravo dajë, të lumtë je i fortë. Ky është model që e kemi pa në çdo pjesë të Kosovës, kudo që ka qeverisur Lëvizja Vetëvendosje”, tha Hoxhaj, raporton kp.

Ndërsa, kandidati i PDK-së për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu tregoi arsyet pse qytetarët e Ferizajt duhet t’ia besojnë edhe një mandat katër vjeçar qeverisës.

“Ajo që e dallon qeverisjen tonë është fakti se qeverisja jonë ka mbi 40 përqind të përfaqësimin gjinor femëror në kuadër të qeverisjes time. Gjithashtu jemi qeverisja me moshën më të re në Kosovë. Kjo i ka dhënë gjithë atë energji e duhur gjithë këtij plani, vizioni dhe platforme qeverisëse për implementim më të lehtë. Prandaj edhe punën, projektet dhe angazhimet kanë qenë më të lehta”, u shpreh Aliu.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen në tetor të vitit 2021, derisa PDK ka filluar ditëve të fundit të prezantojë kandidatët për kryetar të komunave.