Peci: MPJ-ja ia pamundësoi pjesëmarrjen Osmanit në ceremoninë e njohjes nga Izraeli

Shefi i stafit të u.d së presidentes, Vjosa Osmani, Faton Peci, ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ia ka pamundësuar pjesëmarrjen në ceremoninë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, gjatë ditës së djeshme.

Ai ka thënë se Osmani ka shprehur gatishmërinë të jetë prezente në këtë ceremoni, por se ministria e udhëhequr nga Meliza Haradinaj-Stublla e ka shkelur protokollin shtetëror.

“U.d. presidentja nuk e ka injoruar ceremoninë për marrëdhëniet diplomatike me Izraelin, por MPJD-ja ka injoruar protokollin dhe kërkesat e Presidencës, si institucion që sipas Kushtetutës udhëheq me politikën e jashtme”, ka shkruar Peci në Facebook. “Është për keqardhje që MPJD-ja ka instrumentalizuar protokollin e shtetit për të shtyrë përpara agjenda partiake në prag të fushatës zgjedhore. Qasja e tillë e MPJ-së e dëmton jo vetëm kredibilitetin e saj, por edhe të vet shtetit të Kosovës”, ka shtuar Peci.
Sipas Pecit, Osmani ka përshëndetur dje lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit dhe sot ka zhvilluar bisedën e parë telefonike me kryetarin e Kuvendit të këtij vendi, Yariv Levin.