Peja në zonën e gjelbërt për Covid-19

Territori i komunës së Pejës ka arritur që, nga zona e kuqe dhe e verdhë, të futet në atë gjelbërt, sa i përket masave të vendosura kundër pandemisë Covid-19.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga kreu i dikasterit të Ministrissë së Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Armend Zemaj, i cili përmes një njoftimi në facebookin e tij thotë:“Nga sot e deri më 8 janar, në zonën e kuqe, janë 6 vetëm komuna: Prishtinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq”, për të shtuar se:“Në zonën e verdhë, janë po ashtu 6 komuna: Mitrovicë e Jugut, Graçanicë, Obiliq, Podujevë, Junik dhe Gjilan”.

Ndërsa duke bërë të ditur rreth komunave me zona të gjelbërta, Zemaj shkruan:“Ndërsa, në zonën e gjelbër, janë 26 komuna: Kllokot, Lipjan, Gjakovë, Kamenicë, Ferizaj, Vushtrri, Pejë, Drenas, Skënderaj, Istog, Deçan, Shtërpcë, Klinë, Shtime, Novobërdë, Viti, Prizren, Suharekë, Kaçanik, Rahovec, Malishevë, Hani i Elezit, Dragash, Mamushë, Partesh dhe Ranillug”.

Ndryshe, komunat në zonën e kuqe do të ketë orë policore ku përpos mbylljes së aktivitetit ekonomik, ndalohet hyrja dhe dalja e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 7 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes.

Në komunat në zonën e verdhë në Kosovë nuk do të ketë orë policore dhe operatorët ekonomikë nuk lejohen të punojnë nga ora 6 e mbrëmjes deri në orën 5 në mëngjes, ndërsa pas kësaj shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë do të lejohen të punojnë me shërbimin “merre me vete”.

Sa i përket komunave në zonën e gjelbër gjithashtu nuk do të ketë orë policore ndërkaq operatorëve ekonomikë nuk u lejohet puna nga ora 8 e mbrëmjes deri në ora 5 në mëngjes, ndërsa pas kësaj shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë do të lejohen të punojnë me shërbimin “merre me vete”.