PEJË: Ish-ministrit i konfirmohet aktakuza për sulm seksual

Gjykata Themelore në Pejë e ka konfirmuar aktakuzën e ngritur për sulm seksual, ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-zëvendësministër në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtarja për informim e gjykatës në fjalë, Tringa Zhuti.

Vendimin për refuzimin e kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave e ka marrë gjykatësi i rastit, Shaqë Curri.

Lidhur me këtë vendim, bëhet e ditur se mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Aurora Mulhaxha ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Ndryshe, Baliq është deklaruar i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 6 tetor të këtij viti.

Sipas aktakuzës së ngritur më 29 shtator 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq akuzohet se me 12  gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor, duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt të njëjtën që ta prek me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa e njëjta, në natën kritike, duke qenë nënë dhe shoqëruese e fëmijës 6 muajsh, ishte e hospitalizuar në dhomën numër 5, në repartin e ortopedisë në spitalin e lartcekur.