Pejë:Bizneset e mbyllura nga AVUK rrezikojnë falimentimin

Ka kaluar mbi një javë që kur në qytetin e Pejës, Policia e Kosovës së bashku me inspektorët e Agjensionit të Veterinarisë dhe Ushqimit të Kosovës(AVUK) kanë mbyllur katër lokale të njohura në fushën e gastronomisë në qendër të qytetit.

 Arsyeja e mbylljes ka qenë mosrespektimi i masave anti-covid.

 Por, tani sipas pronarëve këto biznese rrezikojnë të mbesin edhe pa staf punonjës.

Policia së bashku me AVUK-un, më datën 8 janar 2022, gjatë një aksioni patën inspektuar 61 lokale në këtë zonë, ndërsa siç bënë të ditur raporti policor, ky aksion ka rezultuar me katër gjoba të shqiptuara për persona juridik (biznese), si dhe mbi 70 gjoba për ata fizik, gjegjësisht qytetarët.

“Gjatë inspektimit janë mbyllur nga inspektorët tri (3) lokale, janë shqiptuar katër (4) gjoba për persona juridik, dhe shtatëdhjetë e tri (73) gjoba për persona fizik.”- thuhet mes tjerash në raportin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë.

Lokalet që janë mbyllur nga Policia dhe AVUK-u janë: ”SOHO BAR”, KAFITERIA NONA”, “FOX” dhe “INCOGNITO”, ndërsa në vendimin për mbylljen e tyre, përveç urdhrit për ekzekutimin e menjëhershëm, afati i kohëzgjatjes së saj është me kohë të pacaktuar, kurse një gjë e tillë bëhet me arsyetimin se nuk janë respektuar masat anti-covid, mosrespektimi i distancës mes tavolinave, qëndrimi i klientëve afër banakut dhe mosdistanca mes tyre, si dhe shfrytëzimi i hapësirës më shumë se 50% e saj, ndërsa vendimi përfshinë edhe këshillën juridike, se kundër tij, palët mund të ankohen brenda tetë ditëve.

I kontaktuar nga Front Online, përfaqësuesi i Shoqatës së Gastronomëve për Komunën e Pejës, Kastriot Halilin, i cili njëherit është edhe pronar i njëres prej kafiterive të mbyllur, është shprehur i shqetësuar lidhur me këtë situatë, si dhe pasojat e saj.

“Neve si biznes kanë ardhë njëherë na kanë denu me 200 euro, për shkak së nuk ka distancë dhe se mbi 50 perqind e hapësirës është e shfrytëzume, e më pas kanë shku të kafiteria ‘NONA’, e më pas janë kthyer tek ne dhe na e kanë mbyllur lokalin komplet, me tendencë njëfarë mënyre, se jena konë për me u denu, por jo për me u mbyllë”-  thotë Halili, i cili ndonëse e pohon se nuk është i njoftuar me bazën ligjore në raport me mbylljen e lokaleve, thotë se lidhur me këtë çështje kanë angazhuar një avokat, sipas të cilit nuk ka qenë e nevojshme mbyllja e lokaleve në këtë formë.

Për të shkuar më tutje, Halili tregon se si pasojë e kësaj situate, kanë filluar të kenë probleme edhe me kamarierët, pasi që nëse gjendja vazhdon të mbetet e tillë, ata do të orientohen për të punuar dikund tjetër, e si rast konkret ai tregon se: ”Qe qetash një kamarier i stafit më tha që duhet me kqyr dikund tjetër me gjet punë, e nuk po jemi as ata që i mbajmë njerëzit, e as që ju thua shkoni tjetër kund!”.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i AVUK-ut, Lamir Thaçi, ka thënë se është e vërtetë se në vendim sipas procedurës ligjore, nuk ceket vendimi i datës së rihapjes, mirëpo një gjë e tillë.

Sipas tij, është në përgjegjësinë e inspektorit që ka shqiptuar gjobën.

Thaçi ka shtuar se kafiteritë e gjobitura duhet të paguajnë gjobën, e më pas, në afat prej tetë ditësh sikurse është cekur edhe në vendim, t’i drejtohen Zyrës Regjionale të Inspektoratit për të kërkuar rivlerësimin e situatës e më pas të presin vendimin për rihapjen e lokaleve./Front Online/