PEJË:Impiantit në Gorazhdec i shtohen edhe katër hektarë

Në seancën e rregullt të Kuvendit të Komunës së Pejës është miratuar shpallja në interes publik edhe i katër hektarëve shtesë, të ngastrës kadastrale, në fshatin Gorazhdec që do t’i shërbejnë impiantit për trajtimin e ujërave të zeza.  

Në afërsi të fshatit Gorazhdec të Pejës është duke u realizuar projekti 23 milionësh për ndërtimin e impiantit që do t’i trajtojë ujërat e zeza të 65 për qind të territorit të kësaj komune.

Për ndërtimin e këtij projekti, i cili pritet të përfundojë deri në fund të vitit të ardhshëm, Komuna deri tash ka shpronësuar gjithsej 13 hektarë tokë për 700 mijë euro, raporton KOHA, ndërsa kësaj hapësire të martën u propozua që t’i shtohen edhe katër hektarë, propozim që nuk u mirëprit nga opozita, mirëpo megjithatë kaloi me miratim.

Ndryshe, projekti i impiantit financohet nga Qeveria gjermane me 9 milionë euro, Qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, Komuna e Pejës me tre milionë euro dhe pjesa tjetër nga Qeveria e Kosovës.