PEJË:Kryetari publikon videon e qytetares me mbeturina, reagojnë qytetarët

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri ka publikuar një video ku paraqitet një grua duke vendosur mbeturinat në një hapësirë publike ku është e ndaluar një gjë e tillë, ndërsa këte e ka arsyetuar me qëllim të ngritjes së vetëdijes qytetare, e që kjo ka pasuar edhe me reagime të ndryshme, nga ana e qytetarëve dhe opozitës.

“I hudh mbeturinat, dhe pastaj i fotografon! Tash e tutje, do t’i filmojmë qytetarët duke bërë veprimin e ulët – ndotjen e ambientit me hudhjen e mbeturinave aty ku s’duhet! Përkundër faktit që gjobat për personat që hedhin mbeturina në vendet që nuk janë të lejuara ekzistojnë, kjo nuk po i ndalon aspak. Ndoshta nga ky moment, do të bëjnë më tepër kujdes nga frika e turpërimit e më pastaj edhe gjobitjes. Kjo dukuri është tepër shqetësuese!”- thotë Muhaxheri në facebookun e tij, me rastin e publikimit të kësaj videoje.

(NDIQENI VIDEON NË LINK: https://www.facebook.com/gazmuhaxheri/videos/3584272654965306)

Në hapësirën e komenteve, lidhur me këtë rast, qytetarët kanë komentuar në mënyra të ndryshme.

Qytetari Ron Sylqa, në një koment shprehet:”Pse kryetar ku mi gjujt tjeter kjo? 2 kanta n’qytet krejt i ki, blej qetash mos i le pak para zgjedhjeve”, përderisa tjetër koment nga Sokol Imami thotë:”Ky problem eshte shume me i madh, nuk eshte problemi vetem te kjo grua. Duhet fushata sensibilizuese prej femijeve te shkolles fillore. Te mbahen ore obligative per pasterti dhe kulture. Gjithashtu edhe denime te ashpra dhe kontejner me teper ne qytet.

Nga ana tjetër, ka pasur edhe qytetarë që e kanë arsyetuar personin, i cili shfaqet duke hudhur mbeturinat dhe më pas I fotografon ato.

“Nuk e besoj qe paska pas qëllim ti hudh mbeturinat dhe te ik se pse kjo zonja erdh deri te vendi ku ka menduar se është kontenjeri për mbeturina. Me vet faktin qe i bani foto qeses kjo tregon se qenka me të vërtet zonjë dhe e mençur sepse nese ndokush e akuzon për veprën ne fjalë zonja është e pajisur me dëshmi përmes fotos qe mungon “KONTENJERI “dhe është e detyruar ti lë aty.”- thotë Parim Kosova në komentin e tij.

E lidhur me pubulikimin e kësaj videoje, reagim të mënjëhershëm ka pasuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, si subjekt opozitarë në këtë komunë, e cila një veprim të tillë e ka cilësuar shantazhim të qytetarëve, me anë të videove publike.

“GAZMEND MUHAXHERI PO I SHANTAZHON QYTETARËT ME FILMIME PUBLIKE!!!

Si degë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, jemi tejet të shqetësuar me përpjekjet e kryetarit në ikje, Gazmend Muhaxheri, i cili në mungesë të aftësive menaxhuese për ambientin, tash ka filluar ë të shantazhojë qytetarët e Komunë që ai udhëheq, duke i kërcënuar ata me filmime publike.

Në një video që ka përdorur Gazmend Muhaxheri, që me gjasë ka porositur një person të hedhë mbeturinat në një vend afër shkollës së arteve, e ka publikuar atë video, ndërsa vet personi shihet se si nuk ka se ku t’i vendos mbeturinat.

Këto përpjekje shfaqin mungesë të aftësive për tu bërë zgjidhje qytetarëve të cilët edhe ashtu janë lodhur nga gjendje e mbeturinave, tregon se si inspektorët e tij nuk po I binden në kryerjen e detyrave që kanë, sikurse që paraqesin edhe një viktimizim të rradhës nga ana e tij, duke i frikësuar e fajsuar qytetarët, të cilët kinse po i sjellin dëm ambientit, duke mos ditur se një gjë e tillë nuk është asgje tjetër, vetëm se kërcënim i lirisë qytetare, të cilët tash e tutje sipas Gazmend Muhaxherit, duhet të kenë kujdes edhe me kë takohen në rrugë.” – thuhet në reagimin e tyre.

(NDIQENI REAGIMIN:https://www.facebook.com/aakpeja/photos/a.413436872097229/4757050641069142/)

Ndryshe, faqeja jonë, problemin e menaxhimit me mbeturina në Komunën e Pejës është duke e trajtuar vazhdimisht, ku janë shfaqur përpjekjet e qytetarëve për të pasur kujdes në ruajtjen e ambientit si dhe kërkesat e tyre, lidhur me ndërtimin e mundësive për të pasur kushte se ku t’i vendosin ata mbeturinat e tyre.