PEJË:Në hyrjet e objekteve komunale s’ka dezinfektues dhe matës temperature

Objektet ku ndodhen drejtoritë e Komunës së Pejës nuk posedojnë dezinfektues dhe matës të temperaturës, ashtu siç parashihet në Manualin e Qeverisë së Kosovës, për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.

Pika 2, e vendimit të fundit të nxjerrë nga Qveria thotë:

“2. Të gjitha institucionet publike dhe private obligohen të mbikëqyrin në baza ditore paraqitjen e stafit në punë në përputhje me ‘Manualin për mbrojte nga përhapja e COVID-19’, përfshirë matjen e detyrueshme të temperaturës për të gjithë gjatë hyrjes në objekte.”, -duke përfshirë këtu edhe institucionet komunale, si institucione publike.

Ekipi i faqes Peja në Fokus, nga puna në terren në vizitën që u ka bërë këtyre drejtorive, nuk ka hasur në asnjë hyrje të këtyre objekteve, persona që masin temperaturën si dhe ka pasur mungesë dezinfektuesish statik.

Vizitat janë kryer në objektet ku ndodhen drejtoratet, siç janë: Drejtoria për Zhvillim ekonomik, Inspektorati, drejtoria e Çështjeve Pronësore, Urbanizmit, për Kulturë, Rini dhe Sport, ajo e Shërbimeve Publike, e Arsimit, e Financave, institucioni i Zyrës së Kryetarit të Komunës, si dhe Administrata komunale, ndërkaq në asnjë hyrje të këtyre objekeve nuk është hasur në dezinfektues statik e madje as matës temperature.

Peja në Fokus, ka kontaktuar me Rexhep Kurtbogaj, drejtor në Drejtorisë së Administratës Publike në Komunën e Pejës, për të pyetur rreth mosrespektimit të këtij rregulli publik, dhe ai ka thënë se Komuna e Pejës është në procedurë për funzim me këto paisje, ndërsa i pyetur se kur pritet të përmbushet respektimi i këtij rregulli, ai ka premtuar se Brenda kësaj jave do të përunfojë kjo çështje.