Pejë:QMF 5 me 25 mijë pacientë dhe pa laborator

Qendra e Mjekësisë Familjare nr 5 në “Fidanishte” të Pejës, pavarësisht se ka deri në 25 mijë pacientë në vit, kjo qendër mjekësore ende nuk ka as laborator.

Para rinovimit, në vitin 2017, në këtë qendër nuk ka pasur laborator, pavarësisht se shëndeti primar parasheh shërbimet laboratorike edhe në qendrat familjare.

Pas rinovimit, një dhomë ishte lënë për laborator dhe ishte kompletuar edhe me pajisjet laboratorike dhe inventar.

Për t’u hapur kishte mbetur të angazhoheshin teknikët e laboratorit.

Jo vetëm që nuk u angazhuan ata teknikë, por pa e bërë as edhe një analizë të vetmen, dhoma kishte mbetur pa pajisjet laboratorike.
Në dhomën e laboratorit tash punon gjinekologia.

“Janë sjellë e janë hequr pajisjet dhe nuk e di se kah janë çuar. Kanë fol se do të hapet laboratori. I kanë marrë pajisjet dhe se çka kanë bërë me to ne nuk e dimë”, thotë specialisti i mjekësisë familjare në QMF-5, Adem Eminaj.

Eminaj thotë se kjo qendër mjekësore ka tepër nevojë për laborator, duke pasur parasysh numrin e pacientëve që frekuentojnë në këtë qendër shëndetësore. “Për një shërbim shëndetësor që ka deri në 25 mijë pacientë në vit, duhet me qenë jo një po dy laboratorë në këtë QMF. E ne nuk e kemi asnjë. Me pas laboratorin, sa është nevoja gjatë ditës, një laborant nuk do të mund të kryente punë”, thotë Eminaj.

Drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, tregon se pajisjet e laboratorit të QMF 5 para një viti, kur ka filluar pandemia, i kanë dërguar në ambulancën e fshatit Vitomiricë. “Në laboratorin e QMF-5 në ‘Fidanishte’ kemi mungesë të pajisjeve, të cilat do t’i blejmë. Mjetet janë ndarë. Janë 20 mijë euro për blerjen e pajisjeve për laborator, prej të cilave 10 mijë për QMF-në në ‘Fidanishte’. Tash presim biokimistët me ba specifikat e laboratorit për pajisjet që i duhen dhe do të nisin procedurat e tenderimit, të cilat besoj për dy-tre muaj kryhen”, thotë Loci, sipas të cilit në muajin qershor apo korrik do të nisë punën laboratori në QMF 5 në “Fidanishte”.