Pejë:Revolet mbrëmë u shkrepën 18 herë

Breshëri plumbash u shkrepën mbrëmë në Vitomiricë të Pejës, duke lënë të vdekur dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), dhe një të plagosur.

Ky i fundit, sipas mjekëve, ka pësuar lëndime në dorë dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Hetimet e para konstatuan se në vendin e ngjarjes u gjetën 18 gëzhoja plumbash, gjithashtu u sekuestruan dy armë zjarri, që dyshohet se u përdorën në tragjedinë e ndodhur mbrëmë.

Dy ish-bashkëpartiakët, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadriaj, dyshohet se u gjuajtën me armë mes vete, duke pësuar lëndime vdekjeprurëse kryesisht në pjesën e gjoksit dhe barkut. I plagosur ka mbetur edhe vëllai i Astrit Ademajt, Avniu, i cili pas trajtimit mjekësor është prangosur dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Rruga që të çonte në afërsi të lokalit ku ndodhën dy vrasjet, qëndroi për orë të tëra e bllokuar me shirita të policisë.

Policia kujdesej që brenda hapësirës së rrethuar me shirita, ku ndodhet edhe shtëpia e viktimës Astrit Ademaj, të mos hynte asnjë njeri. Brenda asaj hapësire të drejtën e lëvizjes e kishin vetëm Hetuesia e Krimeve të Rënda, Prokurori i Shtetit dhe Njësitet nga Rajoni i Pejës.

Nga larg shiheshin edhe familjarët e ngushtë të Astrit Ademajt, por, komunikimi me ta ishte i pamundur. Familja përjetoi dhimbje të dyfishtë pasi i plagosur mbet edhe vëllai i Astritit, Avni Ademaj.

Fqinjtë e kalimtarët shpreheshin të shokuar me atë se çfarë ndodhi një natë më parë, pranë shtëpisë së kandidatit të PDK-së për kryetar të Pejës Astrit Ademaj.

Fqiu i Ademajt, Mehmet Rama, tha se Astriti ka qenë i duhuri për kryetar të Pejës, shoqëruar me fjalët më të mira për të.

Unë jam Mehmet Rama, jetoj në Finlandë në Kosovë vi për pushime. Unë kur e kam kuptu rastin, një fqinj më ka telefonu, s’ma ka marrë mendja, jam trondit aq shumë saqë s’kam mujt me marrë veten. Raporte shumë të mira kam pas, sa herë kam ardhë në pushime jemi taku me të. Kemi pi kafe, kemi pi muhabet, njeri shumë i mirë, bile prej këtij rasti spo më rrihet, mu kthy sa më shpejt në Finlandë, aq shumë jam trondit. Astriti nuk ka qenë vetëm i familjes Ademaj, ka qenë edhe i familjes time edhe i të gjithë shqiptarëve. Shumë njeri i mirë, i sjellshëm, familjar. S’e kam ni as me sha dikë, as me folë për dikë”, tha ai për Express.

Ai tha se Astriti nuk është dashur të vritej as për gjak, duke shprehur dyshime se kësaj punë po i vije “era politikë”.

Unë kam nejt, ndoshta i ka dy javë, kemi pi kafe për mëngjes, me ka thirrë në telefon. Kemi folë për aktivitete, unë e përcjelli kampanjën. Masi po shkon kampanja shumë mirë, ishalla do Zoti Peja fiton, me të vertetë ka qenë personi i duhur për Pejën…Astriti ka qenë siç thotë fjala popullore, as për gjak nuk vritet se le më për diçka tjetër…Pom duket pak po vjen era edhe politikë sepse e ka pas kampanjën shumë të mirë, nuk e di”, tha ai.

Dhimbje e pikëllim i kishte kapluar familjarët e miqtë e Blerand Kadriajt, të cilët tashmë kishin hapur të pamen në Rastavicë të Deçanit.

Një familjar i ngushtë i ish-kandidatit për kryetar të Deçanit, po ashtu nga radhët e PDK-së në vitin 2017, Blerand Kadriajt, tha se familja nuk di asgjë se si erdhi deri te vrasja e tij. Po ashtu kërkoi mirëkuptimin e mediave që mos të insistonin për bashkëbisedim me familjarët, pasi përsëriti se nuk e dinë ngjarjen.

Zëdhënësi i Spitalit të Pejës, Naim Sahiti, tha se viktimat ishin sjellë në spital pa shenja jete dhe kanë pasur plagë në pjesën e gjoksit dhe barkut.

Mbrëmë rreth orës 20:24, në Spital kanë ardhë dy persona që janë pranu, të cilët nuk kanë pas shenja jete, vdekjen e tyre e ka konstatuar mjeku kujdestar dhe më tutje organet përgjegjëse kanë kryer detyrën e tyre, Mjekësia Ligjore, policia dhe organet e hetuesisë. Personi i tretë është i lënduar, i shtrirë në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, e ka një lëndim në dorë, por gjendja e tyre është stabile dhe nuk është në rrezik për jetën….Plagë kanë pasur në pjesën e gjoksit, barkut”, tha Sahiti.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, tha se vëllai i Astrit Ademajt, Avniu, i cili mbet i plagosur mbrëmë, pas trajtimit mjekësor është intervistuar nga hetuesit policor.

Prokuroria Themelore e Pejës është duke zhvilluar hetimet në mënyrë intensive në disa pista. Si dhe është kërkuar të sigurohen të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë”, tha ndër të tjera Nikçi.

Për këtë tragjedi, disa fjalë i tha bashkëshortja e Astrit Ademajt, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook.

Valbona Bahtiri-Ademaj, tha se me Astritin ka kaluar 17 vite martesë, duke shtuar se besimi i tij i jep forcë t’i rrisë fëmijët.

17 vite i kaluam së bashku me të mira e më vështirësi, por çdo gjë ishte e lehtë kur kishim afër njëri tjetrin, tejkaluam shumëçka bashkë, po sot më le përgjithmonë Astrit, mu Aelen e Buronin që nuk arrite ta përcjellësh në klasën e parë. Besimi yt që kishe ndaj meje më bën më të fortë që të vazhdoj ti rris fëmijët tanë ashtu qysh ti deshe. Lamtumirë”, ka shkruar ajo.