Pejë:Riparohet sistemi i ventilimit në QMF-në ku trajtohen pacientët me Covid

Ditë më par u raportua për mosfunksionimin e sistemit të ventilimit dhe klimatizmit në Qendrën e Mjekësisë Familjare numër 5, që gjendet në lagjen Fidanishte të Pejës, në të cilën gjendet edhe Qendra për Covid-19, Drejtoria e Shëndetësisë e ka riparuar dhe e ka kryer të martën servisimin e gjithë sistemit.

“Servisimi i ventilimit dhe klimatizmit ka përfunduar sot”, i ka thënë KOHËS drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci.

Rifunskionimin e këtij sistemi e kanë konfirmuar për KOHËN edhe mjekët familjar në këtë QMF, Mentor Zhara dhe Adem Eminaj.

Ky sistemi nuk kishte funksionuar që një vit dhe stafi mjekësorë i kësaj qendre mjekësore kishte ngritur shqetësimet e tyre edhe për shkak se në aneksin e këtij objekti, që nga fillimi i pandemisë është aktivizuar qendra e Covid-19, në të cilën pacientet e infektuar marrin terapinë e përshkruar nga infektologët dhe pulmologët e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.

Dhe në mungesë të funksionimit të këtij sistemi nuk kishte pastrim të rregullt të ajrit në Qendrën e Covid-i, që ishte shumë i nevojshëm, duke marrë parasysh se në këtë qendër terapinë kundër Covid-19 marrin pacientët e gjithë kësaj komune.

Sistemi i ventilimit dhe aklimatizimit është instaluar para gati katër viteve kur i është bërë rinovimi gjeneral këtij objekti shëndetësor, i ndërtuar në vitin 1984. Qendra e Mjekësisë Familjare numër 5 mbulon tri lagjet ndër më të mëdhatë në qytetin e Pejës (Fidanishte, 7 Shtatori dhe Xhemjal Kada), si dhe disa fshatra tjera përreth, banorët e të cilëve preferojnë të kontrollohen në këtë qendër të shëndetit primar, e jo në ambulancat që i kanë në fshatrat e tyre.

Sipas stafit mjekësor në QMF-5, shërbime mjekësore prej katër mjekëve që punojnë në këtë qendër, mesatarisht kërkojnë deri në 2 mijë pacientë gjatë një muaji.