Për çka dyshohet Xhabir Zharku, për të cilin u vendos 1 muaj paraburgim?

Një operacion i Departamentit të Krimeve Ekonomike në Ferizaj të shtunën në mbrëmje, ka rezultuar me arrestimin e ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Zharkut i është caktuar një muaj paraburgim nga Gjykata Themelore në Ferizaj. Ai dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, mes viteve 2008 dhe 2010, sa ishte kryetar i Kaçanikut.

Burime të “Kohës Ditore” kanë thënë se Zharku, më 2010, ia kishte dhënë një parcelë në shfrytëzim një kompanie private, e cila ndërkohë ia ka shitur një kompanie tjetër.

Burimet i kanë thënë gazetës se kompania blerëse ka ndërtuar një objekt banesor dhe e ka paditur komunën dhe më pastaj Gjykata ia ka njohur të drejtën kësaj kompanie dhe prona ka kaluar në emër të blerësit.

Sipas po të njëjtave burime, Zharku nuk e ka lejuar inicimin e ankesës në shkallën e dytë të gjykatës, pasi që ajo parcelë nuk është dashur të shitet në këtë mënyrë.

Kryeprokurori Shukri Jashari nuk ka pranuar të japë informacione tjera për televizionin, por në një komunikatë për media, Prokuroria në Ferizaj ka konfirmuar dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri Xh. Zh., me datë 23 tetor 2008 në Kaçanik dhe më 10 Shkurt 2010, si person zyrtar, kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, me të cilën do të kryente veprën penale ˝Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit˝, nga neni 339 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Ish-zyrtari i PDK-së ishte ballafaquar me drejtësinë edhe në vitin 2011, kur u dënua me tre vjet burgim për veprën penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje.

Pas konfirmimit të dënimit, Zharku u largua nga Kosova, duke i ikur kështu burgosjes.

Për gati 5 vjet e gjysmë, ish-kryetari i Kaçanikut qëndroi në arrati në Suedi.

Derisa vitin e kaluar u kthye në Kosovë, pasi paraprakisht Gjykata Themelore e Ferizajt, nxori vendimin për ndalim të ekzekutimit të dënimit me burgim, ngase lënda e tij ishte parashkruar. / Koha.net