Për dreka e darka, pushtetarët shpenzuan miliona gjatë vitit 2019

Të gjitha institucionet e Kosovës, duke përfshirë ato qendrore dhe lokale kanë shpenzuar 3.7 milionë euro në vitin 2019 për dreka zyrtare.

Këto të dhëna janë publikuar nga Ministria e Financave në Raportin vjetor financiar të vitit 2019, të dhëna që nuk janë ende të audituara.

Në vitin 2018, organizatat buxhetore kishin shpenzuar 3,409,000 milionë euro për dreka zyrtare apo 364,000 mijë euro më pak se në vitin 2019.

Shumë më pak këto institucione kishin shpenzuar në vitin 2017. Për dreka zyrtare në vitin 2017 ishin harxhuar 2,901,000 milionë euro, 872 mijë euro më pak se në vitin 2019 dhe 508 mijë euro më pak se në vitin 2018.

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e kishte marrë mandatin më 9 shtator 2017.

Haradinaj kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit më 19 korrik të vitit 2019.

Më 22 gusht 2019, me 89 vota për, 1 kundër dhe 2 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.