Për një dekadë mbi 200 mijë kosovarë kërkuan azil në BE

Në mungesë të vendeve të punës në Kosovë të rinjtë janë orientuar masivisht drejt Evropës, shkruan Gazeta “Zëri”.

Demush Shasha, nga instituti “Epik”, ka thënë për “Zërin” se duke filluar nga viti 2008 deri në vitin 2018 rreth 203 mijë qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE).

“Në periudhën 2008-2018 gjithsej 203 mijë e 330 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE). Gjatë kësaj kohe po ashtu 141.330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Sidoqoftë, që nga viti 2016 Kosova ka shënuar një rënie të konsiderueshme si në numrin e kërkesave për azil, ashtu edhe në numrin e shtetasve të Kosovës që u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Në fakt viti 2018 ka qenë vit më trend më të mirë në të dyja kategoritë”, ka thënë ai.

Shasha ka theksuar se këto të dhëna bëhen edhe më dramatike nëse u shtohet edhe numri i qytetarëve të Kosovës që kanë migruar në BE përmes rrugëve tjera ligjore, siç janë lejet e punës. Sipas tij, janë disa arsye të cilat po i shtyjnë qytetarët kosovarë të largohen nga vendi.

“Shkaqet kryesore të largimit të popullatës nga Kosova kanë të bëjnë me pakënaqësinë e madhe të qytetarëve ndaj zhvillimeve shoqërore dhe politike përgjatë dy dekadave të fundit. Në vend të ndërtimit të demokracisë liberale, me pjesëmarrësit progresivë shoqërorë, të bazuar në ekonomi të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, është instaluar një klientokraci ku skena politike kap institucionet publike dhe monopolizon sektorin privat për qëllimin e vetëm – të mbetjes në pushtet”, ka theksuar ai.

/Zëri, link: https://zeri.info/aktuale/271353/per-nje-dekade-mbi-200-mije-kosovare-kerkuan-azil-ne-be//