Përcaktohen çmimet për “Prishtina Parking”?

Shumë shpejtë qytetarët në Prishtinë nuk do të kenë mundësinë që të parkojnë veturën e tyre me vetëm 1.5 euro.

Prishtina tash e sa kohë përballet me mungesë të parkingjeve dhe ky konsiderohet edhe si një prej problemeve më të mëdha që ballafaqohen jo vetëm banorët rezident, por edhe ata që e frekuentojnë kryeqytetin.

“Prishtina Parking”, projekt ky i cili ka më se gjashtë vite që është premtuar nga komuna mirëpo akoma nuk ka filluar së zbatuari.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, në një intervistë për lajmi.net, ka bërë të ditur se shumë shpejtë pritet të fillojë implementimi i projektit “Prishtina Parking”.

Sipas tij, ndoshta që nga 10 korriku do të fillojë inkasimet e para në kryeqytet.

“Nuk është ky problem. Prishtina Parking do të startojë në korrik. Dhe mund të ndodhë shumë shpejt. Ndoshta deri më 10 korrik do të fillojnë inkasimet e para nga parkingjet në qytetin e Prishtinës”, ka thënë Nushi për lajmi.net.

Tutje ai ka thënë se është e palogjikshme që të paguhet vetëm 1.5 euro për parkimin e veturës për 24 orë, përderisa në qytetet e tjera të vendeve të rajonit çmimi është shumë më i lartë.