Përfaqësuesit e Institutit Zvicerannë qershor pritet të vijnë në Kosovë,lidhur me rastin e Astrit Deharit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u takua me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ministrja në detyrë Haxhiu u njoftua lidhur me punët e Prokurorisë gjatë kohës sa vendi po përballet me Pandeminë Covid – 19 dhe veprimet e ndërmarra nga ky institucion në këto rrethana.

“Në takim u diskutuan çështjet që janë prioritet i Ministres së Drejtësisë të dalura nga programi qeverisës.
Haxhiu theksoi veçanërisht përgatitjet e Ministrisë në përpilimin e draftligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme si mjet kyç në rrugën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionin, koncept dokumenti i të cilit pritet shumë shpejt të procedohet në Qeveri për miratim”, thuhet në njoftimin për media.

Haxhiu ka theksuar edhe një herë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit është faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe çështjen e liberalizimit të vizave.

“Luftimi dhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme duhet të jetë prioritet i institucioneve të drejtësisë në mënyrë që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Po ashtu ministrja në detyrë Haxhiu shprehu gatishmërinë për të fuqizuar kapacitetet e institucioneve të drejtësisë sidomos të Prokurorisë Speciale”, thuhet në njoftim.

Haxhiu po ashtu, theksoi nevojën e riangazhimit të Institutit zviceran, përmes mundësisë së vizitës së tyre në Kosovë për të bashkëpunuar me Prokurorinë Speciale dhe për të zbardhur gjitha rrethanat për rastin Dehari, gjë për të cilën u njoftua se në qershor të këtij viti është planifikuar që përfaqësuesit e Institutit Zviceran të vijnë në Kosovë. /Telegrafi/