Përfundon maratona e rinumërimit

Të dielën ka përfunduar rinumërimi i mbi 1400 vendvotimeve. Nga KQZ-ja kanë njoftuar se rezultati i tyre do të publikohet gjatë ditës së sotme. Ndërkohë PZAP-i ka hedhur poshtë ankesën e LVV-së për numërim të votave të fundit të ardhura nga diaspora. Nga Vetëvendosja kanë thënë se ende nuk kanë marrë vendim nëse, lidhur me këtë çështje, do t’i drejtohen ose jo Gjykatës Supreme, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR) ka përfunduar gjatë ditës së djeshme rinumërimi i 1407 vendvotimeve. Këto vendvotime shkuan në rinumërim pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili u mor para rreth dy javësh pas shqyrtimit të ankesave të dorëzuara nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë, të cilët ishin të pakënaqur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Pas rinumërimit të këtyre votave zyrtarët e koalicionit Nisma – AKR – PD kanë thënë se ky koalicion tashmë zyrtarisht do të jetë brenda Kuvendit të Kosovës. Gjatë ditës së djeshme po ashtu është marrë vendim edhe për 392 pakot me fletëvotime të ardhura nga diaspora, të cilat kanë mbërritur në Kosovë gjatë këtij muaji.

Me këtë rast PZAP-i ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën kërkohej që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të obligohej ta bënte verifikimin dhe numërimin e këtyre pakove të ardhura nga mërgata, shkruan më tutje “Zëri”.

Të pyetur nga gazeta nëse do t’i drejtohen Gjykatës Supreme pas vendimit të PZAP-it, nga zyra për informim e LVV-së i kanë thënë të dielën “Zërit” se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim se si do të veprojnë me këtë çështje.

Si rrjedhojë, akoma nuk dihet se kur saktësisht mund të ketë certifikim të rezultateve.