Përfundon operacioni i policisë në veri, arrestohen 19 policë

Policia e Kosovës bashkë me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Prokurorinë e Kosovës kanë dalë në një konferencë të përbashkët për media për të folur mbi operacionin e zhvilluar nga Policia e Kosovës në disa lokacione të vendit të martën, raporton Anadolu Agency (AA).

Udhëheqësit e këtyre institucioneve treguan se veprimet procedurale ndaj personave të arrestuar nga ky aksion kanë nisur nga prilli i vitit 2018.

Kryeshefja ekzekutive e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, tha se në operacionin që ka nisur nga policia në orën e hershme të mëngjesit janë bastisur gjithsej 12 lokacione, ndërsa 19 pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar.

Punonjësit policorë të arrestuar, siç tha Kelmendi, përfshihen si të dyshuar në vepra penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit” dhe “tregti e ndaluar”.

“Në operacionin e sotëm janë bastisur gjithsej 12 lokacione, janë arrestuar 19 punonjës të policisë së Kosovës, prej tyre 11 të nacionalitetit serb, katër të nacionalitetit shqiptar dhe katër të nacionalitetit boshnjak. Prej punonjësve të arrestuar një ka qenë në gradën e kapitenit (komandant stacioni), tre në gradën e rreshterit dhe të tjerët zyrtarë policorë”, tha Kelmendi, e cila tregoi se policët e arrestuar në aksionet e sotme policore janë dërguar në paraburgim dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, këtë aksion policor e konsideroi të suksesshëm. Ai tha se nga operacioni janë lënduar pesë policë, ndërsa ka pasur të lënduar edhe qytetarë të tjerë të cilët kanë marrë pjesë në barrikadat e vendosura për bllokimin e rrugëve. Qalaj tha se në Zubin Potok kanë pasur vështirësi në zhvillimin e operacionit, për shkak të rezistencës me armë që kanë hasur.

“Numri total i policëve të lënduar është pesë, njëri nga ta me armë zjarri. I dyti është i qëlluar me predhë, por predha nuk ka depërtuar në trupin e tij. I ka shkaktuar vetëm mavijosje. Dhe, janë tre policë të tjerë të cilët kanë lëndime gjatë përpjekjeve për hapjen e barrikadave”, tha Qalaj, i cili po ashtu theksoi se nga konfiskimet janë gjetur 11 armë zjarri, telefona e monedha.

Qalaj po ashtu theksoi se në përpjekje të mënjanimit të barrikadave kanë hasur në një automjet të Kombeve të Bashkuara (OKB), brenda së cilës ka qenë “një zyrtar i OKB-së dhe një zyrtar lokal që punon në OKB”. Ai tha se të dy janë arrestuar dhe se njëri ishte me “prejardhje nga shteti rus”.

Prokurori Special i Kosovës, Sylë Hoxha, nga ana e tij, tha se Prokuroria gjatë një viti sa ka zgjatur procedura e hetimit të personave të arrestuar, ka dëgjuar dëshmitarë të ndryshëm, ku ka grumbulluar fakte për vepra të dyshuara kriminale.

“Pas këtij aktiviteti pothuajse një vjeçar, ne kemi parashtruar kërkesë në Prishtinë për kontroll për shtëpitë dhe lokalet përcjellëse për të gjithë këta të dyshuar”, tha ndër të tjera Hoxha.

Për operacionin policor kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në rrjetet sociale gjatë ditës tha se bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe asgjë tjetër. Ndërsa presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tha se aksioni policor qe në të mirë të gjithë vendit. /Anadolu Agency/