Përgatitet salla “1 Tetori”, gjithçka gati për vaksinim

Gati salla ku do të vaksinohen kosovarët, Kurti e Vitia hapin ceremoninë e vaksinimit.

Brenda sallës 1 Tetori në Prishtinë tashmë përgatitjet janë bërë.

Dyert, qysh prej mëngjesit po qëndrojnë të hapura për stafin shëndetësor.

Pas arritjes së 24 mijë vaksinave AstraZeneca në Kosovë, kjo sallë, do të shfrytëzohet për të vaksinuar qytetarët.

Mantel bardhët janë ulur në vendet ku i janë caktuar.

Në anën tjetër, po qëndrojnë vullnetarët që do të shërbejnë si staf mbështetës gjatë vaksinimit të qytetarëve.

E mbështetja e tyre aty veçse ka filluar të vërehet.

Në anën tjetër stafi i ndihmës së shpejtë mjekësore po duken të relaksuar.

Por, kështu nuk pritet të jenë nga dita e martë, ku do ti pret një punë e madhe.

Ministria e Shëndetësisë, më saktësisht ministri i këtij institucioni, Arben Vitia, ka deklaruar se vaksinimi do të nisë nga e marta.

Ndërkaq, përparësi do të kenë stafi shëndetësor i Klinikës Infektive, si dhe qytetarët mbi moshën 60 vjeçare.

Në sallë të pranishëm u panë edhe stafi i Unicefit, dhe zyrtarja për emergjenca e OBSH-së në Kosovë, Ismë Humolli.

E përveç sallës 1 Tetori qytetarët do të mund të vaksinohen edhe në Qendrat e Kujdesit të Mjekësisë Familjare nëpër komuna.

Sazan Ibrahimi, nga asociacioni i Komunave ka thënë se për këtë gjë është diskutuar në takimin që të Hënën e ka mbajtur Ministria Vitia me Këshillin e Komunave.

Sipas tij vaksinimi në QKMF, do të fillojë të Enjten ose të Premten.

Sipas Ibrahimit, këtu është diskutuar edhe për masat e reja.

Ai mohon që Vitia ta ketë përmendur mundësinë e karantinimit.

Sazan Ibrahimi, thotë se QKMF-të ashtu sikurse Salla 1 Tetori janë të përgatitur për të filluar vaksinimin.

Sipas tij, të gjithë kryetarët e Komunave, janë shprehur të lumtur për arritjen e saj.