Përkrahja e Agjencisë Zhvillimore Austriake vazhdimësi e bashkëpunimit të shkëlqyer

Në takim me ekspertët e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), e cila është duke bërë Vlerësimin e Strategjisë së Agjencisë Zhvillimore Austriake (ADA) për periudhën 2013-2020, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka vlerësuar lartë mbështetjen dhe bashkëpunimin me Austrinë, e cila në vazhdimësi ka përkrahur projektet me rëndësi për Kosovën.

Më konkretisht, OECD është duke vlerësuar se sa kanë kontribuar projektet austriake në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm në Kosovë.

Ministrja Hoxha informoi të pranishmit që institucionet e Kosovës tashmë i kanë të konsoliduara strukturat institucionale për koordinimin e asistencës së jashtme dhe se këto struktura takohen në baza të rregullta gjashtëmujore dhe vjetore, duke përfshirë të gjithë donatorët që janë aktiv në Kosovë. Përmes këtyre strukturave, të cilat koordinohen nga Ministria e Integrimit Evropian, institucionet tona harmonizojnë projeksionet qeveritare me kontributet e donatorëve me qëllim kryesor që Kosova të avancojë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Hoxha falënderoi mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës në fushat si: sundimi i ligjit, bujqësia, arsimi, qeverisja dhe shoqëria civile, infrastruktura dhe shërbimet sociale. “Ne jemi mirënjohës për kontributin e Austrisë, duke përkrahur shtetin tonë në institucionet ndërkombëtare dhe integrimin në to, si dhe me donacione për fuqizimin e institucioneve dhe procesin integrues”, potencoi Ministrja Hoxha.

Ekspertët e OECD-së, potencuan faktin se është evidente që Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) përkrah avancimin e mëtejmë të Kosovës në proceset integruese. Ata po ashtu inkurajuan institucionet tona që të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin me ADA-n, për të maksimalizuar përfitimet e Kosovës nga fondet austriake.

Hoxha në fund i falënderoi përfaqësuesit ADA-s për përkrahjen e vazhdueshme, duke potencuar se vlera e projekteve të implementuara si dhe ato që janë duke u implementuar sipas Strategjisë së ADA-s për Kosovë (2013-2020), janë të rëndësishme për procesin integrues të Kosovës dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, njofton Ministria e Integrimit Evropian.