Një replikë e ashpër ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj.
Selmanaj në fjalimin e tij tha se interpretimi i kryetares Osmani rreth kësaj seance është për ta legjitimuar sjelljen e kësaj qeverie.
Pas kësaj, Osmani kërkoi t’i ndalet fjala deputetit Selmanaj.
“Jeni bërë si ata”, ia ktheu Selmanaj.
Më pas iu ndërpre fjala deputetit të LDK-së.
“Në momentin që më ofendoni mua natyrisht që unë ja u ndali fjalën. Nuk ta jap fjalën, ofendimet nuk ua lejoj askujt hiq”, tha Osmani.
Kryetarja e Kuvendit më pas ia dha fjalën shefit të Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.
Ai i tha Osmanit se deputetit Selmanaj iu mohua e drejta e fjalës. “Prej fillimit të seancës është folur edhe për çështje tjera…”, tha ai.
Lidhur me këtë Osmani tha se deputetët tjerë nuk e ofenduan atë, ndërsa Selmanaj po.