Përplasje në Kuvend mes Kryeministrit Hoti dhe Arbërie Nagavcit, kjo e fundit e akuzon për pazare me Serbinë për të pagjeturit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti është përplasur me nënkryetaren e Kuvendit, Arbërie Nagavci në seancën ku po mbahet interpelanca për të pagjeturit.

Nagavci ka thënë se Hoti në Washington ka barazuar të pagjeturit me të zhvendosurit.

“Në Kosovë nuk ekziston çështja e të zhvendosurve. Pse po ja krijoni shtetit të Kosovës një barrë ndërkombëtare që asnjëherë nuk e ka pasur dhe nuk e ka. Në këtë barazim të pakrahasueshëm të të zhdukurve me të zhvendosurit, ju jo vetëm që keni fyer viktimat dhe familjet e të pagjeturve, por i keni vënë Kosovës edhe në përgjegjësi që nuk e ka se i paska dëbuar qytetarët e saj dhe paska penguar kthimin e tyre, e asnjëra nga këto nuk qëndron”, ka thënë Nagavci, shkruan Telegrafi.

Nagavci ka shtuar se Serbia duhet të ofrojë të gjitha informacionet për varrezat masive., dhe se pa kthimin e personave të pagjetur nuk mund të ketë as dialog.

“Më 4 shtator ju bëtë pazare me Serbinë jo vetëm për pasurit e Kosovës por edhe për njerëzit e ky është një lloj trafikimi, por është e pafalshme dhe e turpshme që në një paragraf të një marrëveshje keni vendosur dhe keni barazuar të pagjeturit me të zhvendosurit”, u shpreh Nagavci.

E pas kësaj deklarate të nënkryetares Nagavci ka reaguar kryeministri Hoti, e cili e quajti fjalim të ligë, deklaratën e Nagavcit.

“E dëgjova me kujdes atë çfarë thatë, dhe ky është një ndër fjalimet më të liga që unë kam dëgjuar në këtë Kuvend prej që jam këtu para jush”, ka thënë Hoti.

Pas kësaj ka reaguar sërish nënkryetarja Nagavci.

“I lig edhe i turpshëm është dëmi që ju i keni bërë me marrëveshjen e 4 shtatorit. I lig është situata që është krijuar me familjarët e të pagjeturve”, iu drejtua Nagavci-Hotit. /Telegrafi/