Përplasje në LDK- Agim Veliu i referohet Vjosa Osmanit si ” përkthyesja e Thaçit “

Sulmeve dhe deklaratave të Vjosa Osmanit të dhënë dje në emisionin Desku në KTV, i është përgjigjur Agim Veliu me një reagim të ashpër.

Vjosa Osmani kshte thënë se në LDK kanë vendosur njerëz që nuk e kanë matur veten e tyre me votën e popullit në zgjedhjet  e fundit, duke iu referuar Agim Veliut.

Agim Veliu në një reagim ka shkruar për deklarimet e Vjosa Osmanit duke e vlerësuar si ” përkthyesja e Thaçit “.

” Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme. ” thuhet në reagimin e Veliut.

Ai thotë se LDK ia kishte ofruar Vjosa Osmanit të kandidonte për kryetare të Komunës së Mitrovicës prej nga vjen ajo , por se ajo kishte refuzuar.

Poashtu në zgjedhjet e vitit 2017 asaj i ishte ofruar të garonte edhe për kryetare të kryeqytetit ” që apriori e kishte refuzuar ” thotë Agim Veliu.

Agim Veliu thotë se Vjosa Osmani dështoi në zgjedhje te përgjithshme duke dal e dyta pas Albin Kurtit.

” Në vend që të marrë përgjegjësi për humbjen, sillej si fituese. Ndoshta ka të drejtë, sepse fitoren e VV-së e konsideronte fitore të saj. ” thotë Agim Veliu.

Ky është postimi i plotë i Agim Veliut: 

Fitoret radhazi në zgjedhjet lokale dhe nacionale flasin më së miri

Përkthyesja e Thaçit, e cila asnjëherë nuk ka guxuar të garojë në zgjedhje në komunën e saj dhe as në degën e saj, po ia konteston legjitimitetin qytetar një fituesi të 15 palë zgjedhjeve të njëpasnjëshme.

LDK-ja i kishte ofruar Vjosa Osmanit fillimisht të jetë kandidate për kryetare të Komunës së Mitrovicës, prej nga vjen, por kishte refuzuar. Po ashtu në zgjedhjet lokale të vitit 2017 i është ofruar kandidatura të garonte për kryetare të kryeqytetit, që apriori e kishte refuzuar, duke u arsyetuar se nuk ka kohë.
Ne nuk jemi fshehur pas askujt, sepse i kemi fituar të gjitha zgjedhjet lokale dhe nacionale në Komunën e Podujevës.

Ndërkaq, humbjet në Mitrovicë dhe në Degën e Tretë në Prishtinë kanë qenë të njëpasnjëshme, mes tjerash edhe për shkak të rolit të saj destruktiv e me ambicie karrieriste.

Kur është dashur që të mos rrezikohet komuna, në zgjedhjet lokale më është kërkuar t’i kthehem garës për kryetar komune dhe kam lënë pozitën e deputetit dhe i jam rrekur punës dhe, si rezultat i angazhimit tim dhe elektoratit besnik të LDK-së, i kam fituar zgjedhjet.

Kur u kandidua për kryeministre, LDK-ja në të gjitha sondazhet, përfshirë edhe ato të oponentëve politikë, ishte e para me diferencë prej 7%, por në zgjedhje doli e dyta.

Të thuash se strukturat e partisë, duke përfshirë Kuvendin e LDK-së, Këshillin e Përgjithshëm, Kryesinë dhe Kryetarin, nuk përfaqësojnë votuesin e LDK-së, është hipokrizi.

Të thuash se votuesi i LDK-së përkrahë një kryeministër dhe një parti që ia mbyll telefonin Shtëpisë së Bardhë dhe e izolon Kosovën nga aleati ynë historik, është një hipokrizi tjetër.

Të thuash se dialogun me Serbinë duhet ta udhëheqë një kryeministër, i cili nuk ka guxim ta marrë udhëheqjen e dialogut dhe refuzon ftesat amerikane për përfshirje në dialog, është një paradoks tjetër.

Të thuash e përkrahi qëndrimin amerikan për dialogun e taksën dhe njëkohësisht e përkrahi një kryeministër që shpërfill kërkesat e Departamentit të Shtetit, është kontradiktore.

Të thuash se 90 deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk përfaqësojnë legjitimitet qytetar, është mungesë elementare e njohjes së demokracisë që buron nga vota e popullit.

Ta kundërshtosh partinë tënde që ta udhëheqë shtetin dhe dialogun, siç ka bërë në të kaluarën, por edhe tani, është keqpërdorim i besimit të partisë dhe elektoratit.

Këto paradokse dhe anakroni gjejnë përgjigje te ajo thënia popullore: “han bukën e shtëpisë, bën argatin e kojshisë”.

Ka dalë në oborrin e një fqinji që ka pretendime për shtëpinë e saj dhe është bërë me të, kundër shtëpisë së vet.

Po e fajëson shtëpinë e vet pse po e mbron pragun e vet, e po i duken normale synimet gllabëruese të fqinjit pretendues ndaj shtëpisë së saj.

Por, me të nuk do të merrem më. Sepse ajo këtë e pret. Prej kësaj është rritur. Por, fatkeqësisht nuk është maturuar.