Personat me aftësi të kufizuara blejnë vetë barnat, shteti s’ua jep falas as shërbimet

Mungesa e shërbimeve mjekësore e mosofrimi i barnave dhe i pajisjeve falas nga shteti po ua vështirëson jetesën personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ndonëse nuk ka statistika të sakta, vlerësohet se në Kosovë janë mbi 100 mijë persona me aftësi të kufizuara, shkruan gazeta “Zëri”.

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdimisht duhet të sigurojnë vetë shumë barna dhe pajisje, të cilat janë të nevojshme për ta, me gjithë koston e kushtueshme të tyre.

Pavarësisht kësaj, në mungesë të disa shërbimeve mjekësore në Kosovë ata detyrohen që të shkojnë edhe jashtë vendit për të kërkuar trajtim mjekësor e edhe në këto raste barra e shpenzimeve po bie mbi ta.

Ndonëse kanë ngritur disa herë zërin për plotësimin e kërkesave të tyre, ata thonë se edhe më tej shërbimet që u ofrohen në shëndetësi janë të mangëta, shkruan tutje “Zëri”

Afrim Maliqi, udhëheqës i organizatës “Handikos”, ka thënë për “Zërin” se ka mungesë të shumë shërbimeve mjekësore për personat me aftësi të kufizuara, për të cilat ata duhet të kërkojnë trajtim mjekësor jashtë vend.