Personazhet e njohur nga bota e showbizit që ndërruan jetë në vitin 2021

Viti që sapo e lamë pas krahas gjërave të bukura e sukseseve nga bota e showbizit, do të mbahet mend edhe si vit i kobshëm.

2021-ta mori me vete disa nga personazhet e njohur që lanë gjurmë të madhe, qoftë me krijimtarinë e tyre e po ashtu edhe me përfshirjen në estradë. Edhe pse veprat e tyre do të flasin në vazhdimësi e do të përkujtohen nga shqiptarët, ata lanë një zbrazëti të madhe në jetë publike dhe jo vetëm.

Albert Krasniqi, Luran Ahmeti, Rasim Thaçi-Cima, Fahri Beqiri, Riza Dolaku, Burbuqe Berisha dhe Hajrullah Ramizi – janë në mesin e të famshmëve që u ndanë nga jeta vitin e kaluar.

Rasim Thaçi-Cima (Foto: Instagram)

Telegrafi më poshtë ua sjell një përmbledhje në lidhje me jetën dhe karrierën e tyre, meqenëse kanë zënë ndër vitesh vend të veçantë në jetë e showbiz:

Albert Krasniqi

Albert Krasniqi (Foto: Arkiv/Instagram)

Ish-menaxheri i Babastars dhe bashkëshorti i ish-Miss Kosova, Besa Gashit, Albert Krasniqi, ka vdekur më 27 janar të vitit 2021.

Ai ishte vrarë nga i ati, ndërsa ngjarja tragjike ndodhi në një nga lagjet e Prishtinës. Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua po ashtu nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 17:00 policia ka marrë informatën për një vrasje të ndodhur në rrugën ” Ndue Perlleshi” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Ahmeti për Telegrafin.

Personi i vrarë në Prishtinë është ish-anëtari i Babastars, Albert KrasniqiPersoni i vrarë në Prishtinë është ish-anëtari i Babastars, Albert Krasniqi

Krasniqi para disa viteve ka qenë anëtar i Babastars, ndërsa ruante miqësi me një pjesë të estradës. I njëjti ishte i përfshirë në plagosjen e reperit nga Shqipëria, Noizy, ngjarje kjo që ndodhi në shtator të vitit 2016.

Alberti ndërkohë ishte dënuar nga gjykata me gjashtë muaj burgim me mundësinë që dënimin ta shlyente me para. Vendimi i gjykatës gjithashtu e ngarkonte Krasniqin edhe me një dënim shtesë prej tetë mijë eurosh për veprat e tjera në aktakuzë.

I ndjeri për publikun ka qenë i njohur edhe si bashkëshorti i ish-Miss Kosova 2006, Besa Gashi, me të cilën u martua para shumë vitesh. Çifti u mësua se i dhanë fund marrëdhënies së tyre shumëvjeçare në muajin janar.

Albert Krasniqi dhe Besa Gashi (Foto: Arkiv/Instagram)

Ata janë prindër edhe të një vajze të quajtur, Kjara.

I akuzuari për vrasjen e Krasniqit, S.K në fillim të muajit dhjetor është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej tre (3) vite e pesë (5) muaj, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e këtij aktgjykimi.

Luran Ahmeti

Luran Ahmeti (Foto: Instagram)

Aktori i njohur nga Maqedonia e Veriut, Luran Ahmeti, vdiq vitin e kaluar, gjegjësisht më 25 mars 2021. Ai ndërroi jetë nga COVID-19, ndërsa ishte i shtrirë për një kohë në Klinikën Infektive në Shkup, por sërish nuk arriti ta përballojë sëmundjen.

46-vjeçari la pas vetes bashkëshorten, një motër, prindërit dhe një karrierë të bujshme artistike.

Ndërron jetë aktori Luran Ahmeti, i njohur për publikun e gjerë nga seriali "O Sa Mirë"Ndërron jetë aktori Luran Ahmeti, i njohur për publikun e gjerë nga seriali “O Sa Mirë”

I ndjeri ka luajtur edhe në serialin shqiptar “O sa mirë” në rolin e profesorit të historisë.

Ka qenë aktor i Teatrit Shqiptar të Shkupit, por ka marrë pjesë edhe në produksione të ndryshme filmike.

Luran Ahmeti (Foto: Screenshot/Facebook)

Ahmeti ishte pjesë e dhjetëra filmave, teksa ka luajtur në disa prej serialeve më të popullarizuara të kinematografisë turke, duke përfshirë serialin për Sulltan Sulejmanin, “Muhtesem Yuzyil” e “Kurtlar Vadisi Pusu” (“Lugina e ujqërve”).

Ndër arritjet më të mëdha të tij nuk ka dyshim se ka qenë roli në filmin “Taken 2”. Në filmin aksion-triler të vitit 2012, ai ishte njëri nga kundërshtaret e të famshmit, Liam Neeson.

“Mutlu Ol Yeter”, “Son Yaz-Balkanlar 1912”, “Elveda Rumeli”, “Balkan Dugunu”, “Bahar Dalları”, “Tek Başımıza”, “Reis”, “Karakol – Herkes Adalet İster”, “Limonata” etj, janë gjithashtu disa prej realizimeve të tjera të kinematografisë turke, në të cilat ka luajtur Luran Ahmeti.

Rasim Thaçi – Cima

Rasim Thaçi-Cima (Foto: Telegrafi)

Aktori i mirënjohur shqiptar, Rasim Thaçi-Cima, ka ndërruar jetë më 26 mars të vitit 2021 në moshën 71-vjeçare. Ai vdiq si pasojë e coronavirusit, ndërkohë që ishte i shtrirë prej disa ditësh në Klinikën Infektive në Prishtinë.

Ylli i kinematografisë kosovare ka lindur në vitin 1949 në Llapushnik të Drenicës, gjersa deri në moshën nëntë vjeçare ka jetuar në Vukovc dhe është shkolluar në Komoran.

Cima përfundoi shkollën e mesme në Prishtinë dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Ndërtimtarisë, kjo për të ia përmbushur dëshirën babait.

Ndërron jetë aktori i njohur, Rasim Thaçi- CimaNdërron jetë aktori i njohur, Rasim Thaçi- Cima

Meqenëse kishte pasion futbollin, artistit iu desh ta linte Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe ta regjistrojë atë të Kulturës Fizike pa e ditur babai i tij.

Në vitet 1980-1998, Thaçi ishte mësues por në të njëjtën kohë luante edhe futboll, sport ky që e donte shumë. Në po këto vite, ai filloi edhe me humor në Radiotelevizionin e Prishtinës me “Treshin Përsheshin”.

Cima ka tre fëmijë, Adelinën, Burimin dhe Artanin. Të tre fëmijët e tij kanë studiuar në fusha të ndryshme dhe janë shumë të zotë në fushën e tyre.

Rasim Thaçi-Cima (Foto: Instagram)

Aktori i skenës dhe ekranit la pas vetës një korpus të madh të krijimtarisë dhe kjo do të mbetet një gjurmë e pashlyer në kulturën dhe artin tonë.

Disa nga filmat, komeditë dhe skeçet ku ka luajtur Rasim Thaçi-Cima:

Treshi Përsheshi – (1986-1990)

Cimë Baushtella – (2006)

Nusja nga Diaspora – (2007)

Lajmi në Gurbet – (2008)

Cimë kulleri te Lec katunari – (2008)

Leci te mulla Cima – (2008)

Cima Taxi 1 – (2009)

Cimë Baksuzi – (2009)

Cima ne Cia – (2009)

Cimë Polici – (2010)

Cimë te baba sheh – (2010)

Cimë Polici – (2011)

Rrota e Cimes – (2011)

Cimë Taxi 2 – (2011)

Haxhi Cima ne diskotekë – (2011)

Rrasja Vllaut n’gjermoni – (2013)

Dreqi n’Qeveri – (2013)

Cima te Tezja – (2013)

Hajnat e Vove – (2014)

Siguresa e Cimës – (2014)

Rruga e Boss Kungjit – (2014)

Kartela e bankës – 2016

Cima te Gazuzi – 2018

Fahri Beqiri

Fahri Beqiri (Foto: Facebook)

Bota e muzikës në vitin 2021 humbi edhe një nga kompozitorët më të suksesshëm në tregun shqiptar, Fahri Beqirin. Ai konsiderohej të ishte një nga kompozitorët më të rëndësishëm gjatë kohës së Jugosllavisë.

I ndjeri shkroi kompozime për orkestër simfonike, kor, piano, klarinetë, kuintet frymore, teatër filmi dhe muzikë baleti, muzikë popullore dhe shumë pjesë për fëmijë.

Kompozimet e tij u interpretuan nga muzikantë të shquar, përfshirë këtu: Milenko Stefanoviç, Ernest Ackun, Miodrag Azanjac dhe Zorica Dimitrijevic-Stosic.

Riza Dolaku

Riza Dolaku (Foto: Facebook)

Kantautori i njohur kosovar, Riza Dolaku, ka vdekur më 4 shtator të vitit 2021 pas një beteje me një sëmundje të rëndë të mushkërive. Ai ishte autor këngësh i njohur e po ashtu edhe kompozitor dhe aranzhues që studioi në Akademinë e Muzikës në Beograd.

I ndjeri filloi shkollën e mesme muzikore në Prizren dhe e përfundoi në Prishtinë.

Dolaku mori pjesë në festivale të ndryshme si: “Akordet e Kosovës” – më shumë si aranzhues por gjithashtu pati një numër paraqitjesh si kompozitor “Zambaku i Prizrenit, Nota Fest etj.

Riza ishte gjithashtu një pianist dhe pjesë e trupit gjykues në festivalin “Shon Fest 2000”. I njëjti u citua për aranzhimin e tij të këngës “E dehun jam” nga Nexhmije Pagarusha, e cila ishte realizuar nga Alma Bektashi në një ngjarje nderimi për Nexhmije Pagarushën.

Burbuqe Berisha

Burbuqe Berisha (Foto: Facebook)

Një tjetër yll i kinematografisë që u nda nga jeta në vitin 2021 është edhe regjisorja Burbuqe Berisha. Ish-drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Kosovës vdiq në objektin e MKRS-së në moshën 51-vjeçare, teksa prej vitesh ndodhej në dializë.

Berisha ishte e lindur më 28 maj të vitit 1970 në Prishtinë.

Ajo përfundoi shkollën fillore dhe të mesme në Prishtinë, për të vazhduar me studimet bachelor dhe master në Fakultetin e Arteve në Universitetin “Hasan Prishtina, dega: Regji e filmit.

Krahas profesionit si regjisore, ajo ka ushtruar edhe pozitën e drejtoreshës në Teatrin Kombëtar të Kosovës për një periudhë katër vjeçare.

Vdes regjisorja Burbuqe BerishaVdes regjisorja Burbuqe Berisha

Ajo gjithashtu ishte edhe anëtare e Këshillit Drejtues të QKK-së si dhe të Ansamblit “Shota” në vitin 2017.

Prej vitesh, e njëjta ushtronte edhe profesionin e ligjërueses dhe prodekanes së Fakulteti të Gazetarisë dhe Komunikimit Masiv, në kuadër të Kolegjit AAB në Prishtinë.

Ka krijuar një numër të madh të filmave me metrazh të shkurtër dhe te gjatë si dhe dokumentarë, seriale televizive, shfaqje teatrore dhe është fituese e disa shpërblimeve në festivale të filmit dhe teatrit me karakter ndërkombëtar dhe ne vitin 2019 është fituese e çmimit kombëtar për kinematografi.

Disa nga prodhimet e saj më të suksesshme përfshijnë: “Një tregim Prishtine”, “Ashensori”, Ëndrra”, “Drimri i shpirtit”, “Lexi në qytet” (në 10 episode), “Kosova 9/11”, “Bunari”, “Nanë”, “Viti 2000”, “Çelësi”, dhe “Gratë”.

Burbuqe Berisha (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Prej shfaqjeve të saj teatrale veçohen: ”Bretkosa”, “Revolveri”, “Një çaj me Hillaryn”, e të tjera.

Në dhjetor të vitit 2003, filmi i saj “Kosova Eleven” fitoi një nga çmimet kryesore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit me Metrazh të Shkurtër. Në vitin 2019, asaj iu nda çmimi “Bekim Fehmiu” nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ndarja nga jeta në moshë të hershme ka lënë të pikëlluar mbarë komunitetin artistik, miqtë e familjarët e Berishës.

Hajrullah Ramizi

Hajrullah Ramizi (Foto: Facebook)

Aktori nga Shkupi, Hajrullah Ramizi, vdiq më 18 nëntor të vitit 2021. Ai u nda nga jeta në moshën 37-vjeçare, kurse lajmi për vdekjen ishte bërë i ditur nga faqja zyrtare e ‘Teatri Shqiptar’.
Pavarësisht se u nda nga jeta në moshë të re, ai ka lënë një bagazh të madh e të bujshëm artistik.

I ndjeri mbahet mend nga shfaqjet: “Vojceku”, “Kaligula”, “Brekët”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kuçedra”, “Jetë me qira”, “Makbethi”, “Arseniku dhe dantelat e vjetra” dhe së fundmi “Bregu i pikëllimit”.

Pos në teatër, Hajrullahu shpesh është i angazhuar edhe nga produksionet filmike të rajonit dhe ka luajtur në filmat: “Eduart”, “Time of the Comet”, “Punk Is Not Dead”, “4 Oret”, “To the Hilt”, “Fati” etj. /Telegrafi/


I përjetshëm kujtimi për ju!