Peticioni për shkarkimin e Shpend Ahmeti, këto janë qëndrimet e partive

Rezultati i keq i Partisë Social Demokrate (PSD) në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, sidomos në Komunën e Prishtinës, e cila udhëhiqet nga kreu i socialdemokratëve, Shpend Ahmeti, ka nxitur përfaqësuesit e disa subjekteve politike në kryeqytet, të nisin një peticion për shkarkimin e kryetarit të Prishtinës.

Safet Kamberaj,  kryetar i Bashkësisë Lokale të Dardanisë dhe njëherit inicues i këtij peticioni, ka deklaruar për portalin “Front Online” se së shpejti do të nisin me grumbullimin e nënshkrimeve të qytetarëve për shkarkimin e Shpend Ahmetit. Për këtë iniciativë, siç thotë ai, kanë përkrahjen edhe nga OJQ-të e ndryshme, por edhe nga qytetarët e Komunës më të madhe në vend.

Kamberaj ka shtuar se tashmë e kanë dorëzuar kërkesën në Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunë për të marrë leje për të vendosur pikat për grumbullimin e nënshkrimeve në hapësira të ndryshme publike.

Së shpejti do të fillojmë me mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve për shkarkimin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit. Z. Ahmeti më ska besim tek asnjë qytetarët i Prishtinës. Po të kishte moral njerëzor është dashtë të jap dorëheqje dhe të kërkoj falje para qytetarêve. Shpendi tani ka më pak se 1000 vota”, ka thënë Kamberaj.

Ai ka shtuar se  janë duke u dakorduar me OJQ –të dhe partitë politike që ta përkrahin nënshkrimin e peticionit, siç ka thënë ai, për ta çliruar Prishtinën.

“Jemi duke u dakurduar me OJQ-të, me të gjitha partitë politike që të jemi një zëri, pa dallim bindjeve politike me një qellim ta ç’lirojmë Prishtinën , të ja kthejmë ëndrrën e fëmije”.

AKR s’e përkrahë iniciativën për shkarkimin e Shpend Ahmetit

Lidhur me këtë iniciativë “Front Online” ka kontaktuar disa nga përfaqësuesit e partive politike në Kuvendin Komunal të Prishtinës, për t’i pyetur nëse do ta përkrahin nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e Shpend Ahmetit.

Nënkryetari I Prishtinës, Selim Pacolli, i cili vjen nga radhët e AKR-së, ka thënë se nuk do ta përkrahin nënshkrimi e këtij peticioni, pasi që, siç thotë ai, nuk kanë ndonjë arsye për ta bërë një gjë të tillë.

“Unë nuk kam njohuri që ka ndonjë iniciativë  për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e Kryetarit Ahmeti. Edhe nëse ka , iniciativat e  tilla  faktikisht kanë një procedurë deri te shkarkimi  i mundshëm i cilido kryetar, pasi që dihet se kryetari zgjidhet direkt nga qytetari. Ne jemi në koalicion me me kryetarin e Komunës, Shpend Ahmeti dhe  nuk ka asnjë arsye deri me tani qe ne duhet të  mbështesim çfarëdo iniciative për shkarkimin e tij”,  ka thënë Pacolli.

LDK vendos nesër

E asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Kushtrim Sopa  në një përgjigje për “Front Online” ka thënë se  do të vendosin në mbledhjen e grupit të LDK-së që do të mbahet nesër.

“Ne e kemi një mbledhje nesër pas dite si grup parlamentar i LDK-së dhe  aty merren vendimet se çfarë duhet me ba për komunë të Prishtinës. Nesër do ta shohim se çfarë hapa do të marrim lidhur me nënshkrimin e peticionit, pasi që nuk mundem të them asgjë pa u diskutuar në grup”, ka thënë Sopa.

Nënshkrimi i peticionit për shkarkimin e Shpend Ahmeti nuk është diskutuar as në Partinë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar asamblistja e kësaj partie, Kumrije Shabani.

“Ne si grup ende nuk kemi diskutuar për këtë çështje. Përderisa nuk është diskutuar nuk kemi se çfarë të themi”, ka thënë ajo .

AAK s’e përkrahë peticionin

Ndërsa asamblisti i AAK-së në këtë komunë Fadil Gashi ka thënë se nuk do ta përkrahin këtë peticion.

“AAK nuk do ta përkrah peticionin për shkarkimin e shpend Ahmetit. Qytetarët kanë vendosë dhe ne deri ne fund të mandatit do ta përkrahim”, ka thënë  Gashi.

E kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Brahim  Mehmetaj,  i cili në  zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat për deputet në një përgjigje me shkrim ka thënë se iniciuesi i këtij peticioni është manipulatorë.

“Vetëvendosja” e pavendosur

Partia të cilës i takonte Shpend Ahmeti, Lëvizja “Vetëvendosje”, ende nuk kanë marrrë qëndrim lidhur me këtë çështje.

Asamblisti I kësaj partie Egzon Azemi, ka thënë për “Front Online”  se në momentin që do të marrin një qëndrim do ta bëjnë publik në një konferencë për media

“Ne si Lëvizje nuk jemi deklaruar asnjëherë lidhur me këtë çështje. Është një iniciativë që është ndërmarrë nga një qytetarë  që është udhëheqës I një bashkësie lokale dhe  ne nuk I kemi jep ngjyrime politike , kur të vendosim me mbajt qëndrim si lëvizje e thirrIm një konferencë për këtë”.

“PSD” Inicimi i peticionit është i kotë

Asamblistja e kësaj partie në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Mimoza Sylejmani, në një përgjigje për “Front Online “ ka thënë se inicimi i këtij peticioni është i kotë pas dy viteve qeverisje.

“ Mua po me duket kotë, pas dy viteve qeverisje me u qu me ba peticion, nuk e di a e dini ligjin janë 40 mijë nënshkrime  me iniciuar peticionin, mua po me duket e kotë pas dy viteve qeverisje edhe pse kemi dalë komuna ma transparente në Evrope dhe mua po me doket e kotë njerëzit që kanë kohë me u marr   me këto gjana”  ka thënë Sylejmani.