“Plani Fischer” – kahu vendimtar i përfundimit të luftës në Kosovë

Më 24 mars 1999, rreth orës 20:00, kërcënimet e NATO-s u bënë realitet. Forcat ajrore të NATO-s goditën pozicionet ushtarake dhe policore serbe, shkruan sot Koha Ditore.

Kancelari dhe kryetari i Presidencës së BE-së, Gerhard Schröder, në një fjalim të shkurtër në televizion drejtuar publikut gjerman nënvizoi dhe arsyetoi domosdoshmërinë e aksionit ushtarak, se përse ishte i pashmangshëm, përse trupat ushtarake të Bundeswehrit ishin përfshirë në një operacion luftarak dhe shpjegoi synimet e luftës ajrore të NATO-s.

Kancelari gjerman nuk iu shmang as thyerjes historike të tabusë, e që nënkuptonte pjesëmarrjen e ushtarëve gjermanë në këtë fushatë ajrore. Schröder në fjalën e tij adresoi qartë përgjegjësinë e Milosheviqit, si për fillimin, ashtu edhe përfundimin e kësaj lufte.

“Nuk duhet të ketë asnjë dyshim në vendosmërinë tonë, për t’u dhënë fund vrasjeve në Kosovë. Qeveria në Beograd e ka vetë në dorë që t’i japë fund angazhimit të NATO-s, duke vendosur në favor të paqes”.

Me fillimin e sulmeve ajrore të NATO-s kundër Jugosllavisë së mbetur, më 24 mars 1999, lufta e Kosovës kulmoi në nivelin më të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar. Pas dështimit të Konferencës së Rambouillet, ky ishte momenti me “diplomaci backe by force”.

Për politikën gjermane të jashtme dhe të sigurisë ky angazhim ushtarak në luftën e Kosovës ishte një kthesë historike: për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore ushtarët gjermanë në mënyrë të barabartë me partnerët perëndimorë morën pjesë në një luftë ajrore kundër caqeve ushtarake të Jugosllavisë së mbetur: shumica e politikanëve dhe e udhëheqësve në Perëndim dhe shumë ushtarakë të NATO-s besonin në kapitullimin e shpejtë të Milosheviqit.