Policia arreston 4 persona në Prishtinë

Gjatë ditës së premte, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka arrestuar 4 persona në lokacione të ndryshme në Prishtinë.

Ky operacion, që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, ishte ndërmarrë në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë që ka rezultuar me arrestimin e katër (4) personave të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’ neni 390, thuhet në komunikatë për media të Policisë.

Ky operacion policor ka përfshirë tri lokacione të ndryshme të rajonit të Prishtinës, atë të Kodrës së Trimave, Velanisë dhe Matiqanit, ku gjatë kontrollit nga të dyshuarit janë sekuestruar veturë Opel Astra, tre telefona Samsung, dy pasaporta të Republikës së Kosovës dhe një librezë e veturës zvicerane.

Policia e Kosovës ka njoftuar se me vendim të prokurorit kompetent personat e dyshuar dërgohen në ndalim për 48 orë, për veprën penale ‘falsifikim i dokumenteve’.