Policia arreston dy persona për shitje të testeve të Fakultetit Juridik

Hetuesit policorë të Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë (NJRHKEK), po sa kanë pranuar të dhëna, menjëherë kanë filluar hetime nën dyshimin se persona të dyshuar po shesin “teste” që u parashtrohen studentëve të Fakultetit Juridik të UP-së.

Më 28.06.2019 policia ka siguruar Urdhëresën nga Gjykata Themelore Prishtinë për masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit ‘simulimi i një vepre të korrupsionit’, pasi dyshohej se persona të dyshuar janë duke konsumuar veprën penale ‘mashtrim’, nga neni 323 i KPRK-së.

Sot, datë 2 korrik 2019, në realizim të masave të fshehta të hetimit dhe në zbatim të planit hetimor policor, rreth orës 16:35, policia në flagrancë e ka arrestuar një të dyshuar i cili posa kishte pranuar 100 euro në këmbim të ofrimit të “testit”, tek i njëjti janë gjetur parat që janë përdorur si stimulim i veprës penale, po ashtu policia ka arrestuar edhe personin e dytë pasi dyshohet se që të dy vepronin së bashku.

Policia, nën dyshimin e përfshirjes në veprimtari penale, ka arrestuar: G.S. viti i lindjes 1996 dhe E.B. viti i lindjes 1992

Me aktvendim të prokurorit, dy të dyshuarve u shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë, njofton Policia e Kosovës.