Policia dekoron me medalje Artur Mrasorin dhe kolegët e tij për aksionin në Zhur gjatë 2020-ës

Më 28 janar të vitit 2020, një polic vdiq e dy të tjerë u lënduan si pasojë e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Zhur të Prizrenit, teksa Policia kryente bastisje në një rast për narkotikë, raporton Gazeta Sinjali.

Në prag të këtij përvjetori, Policia e Kosovës ka ndarë medalje mburojë për policët që ishin pjesë e aksionit, përfshirë Artur Mrasorin, Sami Thaqin e Jetmir Hasanajn, ndërsa për rreshterin Arsim Bytyqi ka ndarë medalje meritë.

Gjithashtu, Policia i ndau mirënjohje qytetarit nga Zhuri, Shafivar Ajazaj, i cili i dha ndihmën e parë policit Mrasori. Gazeta Sinjali ka siguruar njërën prej medaljeve, të ndarë për Mrasorin.

Se i janë ndarë medalje e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Daut Hoxha, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, ka dhënë edhe detaje.

Gjatë vitit 2020, Polica e Kosovës ka organizuar ndarjen e Medaljeve dhe Shpërblimeve për zyrtarët policorë. Janë ndarë 230 Medalje për Shërbim të Besnikërisë për zyrtarët policorë (Medalje që i ndahet zyrtarit policor për çdo 10 vite shërbim, P.sh për 10 vjetor ose 20 vjetor etj. ) , 4 Medalje Mburojë e Policisë, 18 Medalje për Policore për Lëvdim , 26 Lëvdata dhe 21 Mirënjohje”, tha Hoxha.

Gazeta Sinjali pati sjellë ekskluzivisht edhe rrëfimin e policit Mrasori.

Mrasori pati deklaruar se në mbrëmjen e datës 28 janarit 2020, rreth orës 19:00 ishte në automjetin zyrtar me kolegun Jetmir Hasanaj në patrullim.

Kur kemi pranuar një thirrje telefonike nga qendra e thirrjeve “golf kontrolli” kur kemi pranuar një informacion se një person kishte njoftuar qendrën e thirrjeve se në shtëpinë e tyre ishin disa qese me drogë në dhomat e katit të dytë, të cilat i kishte fshehur i dyshuari (babai) Iran Badalli. Zyrtari policor i cili na ka dhënë informacionin theksoi se vajza ishte e mitur dhe e moshës 7 vjeçare. Të njëjtin informacion ia kam dhënë shefit të njësisë së antidrogës, Rreshterit Arsim Bytyqi dhe kemi vazhduar me patrullim”, pati deklaruar Mrasori.

Sipas Mrasorit, ai dhe kolegu i tij Jetmir Hasanaj, nuk patrulluan gjatë, pasi që morën informacionin se kishin leje për bastisje në shtëpinë e Iran Badallit.

Në linkun e mëposhtëm, gjeni gjithë deklaratën e policit Mrasori rreth ngjarjes që ndodhi në këtë datë, që Gazeta Sinjali e solli eksluzivisht./Gazeta Sinjali/