Policia e Kosovës tregon pse po krijohen kolonat e gjata në Merdarë

Qytetarët, sidomos mërgimtarët, që po shkojnë drejt vendeve europiane përmes pikës kufitare në Merdarë po përballen me pritje të gjata në kufirin me Serbinë.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka njoftuar sot se qytetarët po presin deri në 10 orë për të kaluar pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Lidhur me këto pritje të gjata, KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Daut Hoxha, Policia e Kosovës varësisht prej fluksit, numrit të madh të automjeteve dhe autobusëve me udhëtarë po ndërmerr masa të nevojshme të shtimit të kapaciteteve per lehtësimin në qarkullim.

“Megjithatë, procedura të kontrollit aplikohen edhe nga pala tjetër kufitare serbe, ku edhe janë duke u shkaktuar pritje dhe kolona të gjata”, tha për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës.

“Sipas raportimeve që kemi si shkak i procedurave të aplikuara nga ana tjetër, pra nga pala serbe në dalje të Republikës së Kosovës, janë regjistruar pritje dhe kolona të gjata”, shtoi Daut Hoxha.

Zëdhënësi i Policisë tha se referuar fluksit të koncentruar në pikën kufitare në Merdarë u bëhet thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë edhe pika të tjera kufitare, ku ka më pak pritje.

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar në njoftimin e fundit thotë se për të dalë nga pika kufitare në Merdarë pritjet janë 8 orë deri në 8 orë e 40 minuta.

Në një njoftim të publikuar një orë më herët, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar tregonte se pritjet në Merdarë zgjasnin deri në 10 orë.

Për të dalë nga Kosova në pikën kufitare Dheu i Bardhë, qytetarët po presin 2 orë e 10 minuta.

Për të hyrë në Kosovë përmes kësaj pike, pritjet janë 5 deri në 10 minuta. / Kallxo.com