Policia jep detaje për kapjen e rreth 93 kg marihuanë në Tupec të Prizrenit

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotik – Prizren, bazuar në informacionet e pranuara dhe punës operative disa mujore në terren, sot ka zbatuar planin operativ të koduar “Dardha”, me ç’rast në fshatin Tupec – Prizren, është ndaluar një automjet i tipit Mercedes, me targa vendore, me drejtues mashkull, shtetas i Shqipërisë, i cili në tentativë për t’u arratisur në këmbë, është arrestuar nga zyrtarët policorë.

Sipas policisë, pas arrestimit të të dyshuarit të lartcekur, është bërë kontrollimi i automjetit, me ç’rast janë vërejtur disa thasë me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë.“Në vazhdën e zhvillimit të këtij operacioni policor është bërë dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar mashkull, shtetas i Shqipërisë, i cili dyshohet se me një automjet të tipit Audi, me targa të Shqipërisë, i ka siguruar rrugën për lëvizje të dyshuarit të parë, i cili po lëvizte me automjetin me narkotik”, thuhet në njoftim.

Gjatë zhvillimit të procedurave lidhur me rastin, janë gjetur dhe sekuestruar:

• Njëqind e tetëdhjetë e një (181) paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë, me peshë 93 kilogram e 249 gram.

• Një peshore.

• Gjashtëqind e njëzet e dy (622) euro.

• Gjashtëmijë e shtatëqind (6700) lekë të Shqipërisë.

• Dhe dy automjetet e përfshira në rast.

“Pas marrjes së urdhrit verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake në Prizren, është kontrolluar edhe depoja e cila ishte nën shfrytëzim të personave të dyshuar, ku dhe janë vërejtur mallra të ndryshme që dyshohet se janë të kontrabanduara. Me këtë rast janë njoftuar zyrtarët kompetent nga Dogana e Kosovës të cilët janë duke u marrë me procedurat e mëtutjeshme. Lidhur me rastin poashtu është konfiskuar edhe një automjet tjetër i tipit Mercedes me targa të Shqipërisë, i cili ishte në afërsi të depos, nën shfrytëzim të personave të dyshuar. Me vendim të prokurorit të shtetit pas intervistimit të personave të dyshuar në prezencë të avokatëve, të njëjtit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.