Policia me aktivitete të vazhdueshme operacionale në parandalimin e aksidenteve rrugore

Ngritja e nivelit të sigurisë rrugore është prioritet i njësive të trafikut rrugor me qëllim të parandalimit të aksidenteve, në veçanti atyre me pasoja të rënda. Andaj, njësitë e trafikut përveç aktiviteteve parandaluese, planeve operative të dala nga plani vjetor i punës, përpilojnë edhe plane tjera shtesë duke u bazuar në situatën në teren.

Duke marr parasysh se një numër i madh i aksidenteve të rënda rrugore të shkaktuara nga faktori njeri është si shkak i shpejtisë së lëvizjes dhe sidomos tejkalimeve në vende të ndaluara, atëherë duke u bazuar në situatën në teren ka qenë e nevojshme marrja e masave konkrete përmes zbatimit të planit operativ “Tejkalimet në vendet e ndaluara” ku përfshihen tejkalimet në vijën e plotë, tejkalimet e kolonës së mjeteve, tejkalimet në kthesa … etj.

Polica e Kosovës do të vazhdoj me masa konkrete ndaj atyre shoferëve të cilët me veprimet e tyre kryejnë kundërvajtje të tilla dhe rrezikojnë pjesëmarrësit në trafik, andaj i ftojmë pjesëmarrësit në trafik të dëshmojnë kulturën e tyre në respektimin e rregullave dhe shenjave të trafikut rrugor.