Policia me plan operativ – do të ndëshkojë ata që parkojnë veturat nëpër trotuare në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se me qëllim të disiplinimit të pjesëmarrësve në komunikacion në Prishtinë dhe menaxhimin më profesional të trafikut në kryeqytet është duke ndërmarrë një sërë masash operative.

“Masa të shumta ndëshkuese (gjoba dhe konfiskime), janë ndërmarrë si në drejtim të përballimit të fluksit të lëvizjes së mjeteve, ashtu edhe ne përballimin e lëvizjes së këmbësorëve, në qytet ashtu edhe jashtë tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Kjo e fundit ka bërë të ditur se një numër të konsiderueshëm i kundërvajtësve nuk po respektojnë shenjat e trafikut për ndalim parkimi dhe se për këtë ka pas ankesa të qytetarëve për bllokimin e trotuareve në qytetin e Prishtinës.

“Njësitet policore të stacioneve të Prishtinë, që nga data 10/06/2019, do të fillojnë implementimin e planit operativ, ekskluzivisht i paraparë për pastrimin e trotuareve nga parkimet e ndaluara”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Po ashtu, policia ka paralajmëruar se plani operativ do të ketë shtrirje në të gjithë hapësirën rrugore të kryeqytetit dhe toleranca për kundërvajtësit do të jetë zero.

“Të gjitha veturat që do të hasen të parkuara në mënyrë të parregullt dhe në vendet e ndaluara për parkim, do të kenë njoftimin zyrtar për paraqitje të obligueshme në stacion policor, ku palës do t’i shqiptohet gjobë për kundërvajtje”, njofton policia.

Nga ana tjetër, Policia e Kosovës ka përmendur qëllimi nuk është ndëshkimi duke apeluar në këtë mënyrë te të gjithë drejtuesit e automjeteve, që të zbatojnë me përpikëri normat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor.