Policia në kërkim të hajnave pas ngjarjes tragjike në Shtime, aktivizohen tre njësi

Grabitja e shtëpisë së një mërgimtari në Shtime gjatë ditës së djeshme doli të jetë fatale për Fehmi Gashin nga Prishtina.

Ai u rrah për vdekje nga pronarët e shtëpisë ku kishin hyrë për të plaçkitur para.

Bashkë me Gashin ishin edhe tre persona të tjerë, të cilët kanë ikur nga vendi i ngjarjes, ndërkaq që dyshohet se njëri prej tyre edhe e kishte plagosur njërin nga pronarët e shtëpisë.

E Policia e Kosovës është mobilizuar për t’i gjetur e arrestuar edhe grabitësit tjerë të përfshirë në këtë rast.

Majori i Policisë Rajonale të Ferizajt, Mehmetali Hajdini, për lajmi.net tha sot se tre njësi të Policisë së Kosovës janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të grabitjes që rezultoi me fatalitet.

Ai thotë se Policia është ende në fazën e hetimeve, mirëpo se i kanë disa informacione.

“Jemi ende në fazën e hetimeve. Po punojmë në identifikimin dhe zbardhjen e rastit. Aktualisht tri njësi janë të angazhuara në këtë rast. Kemi disa informacione mirëpo ende jo diçka konkretete”, ka thënë Ajdini për lajmi.net.

E ndaj vëllezërve Ndrecaj, pronarë të shtëpisë ku ndodhi grabitja, Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit.