Policia në Prizren ndalon 23 valltare nga Shqipëria

Policia e Kosovës në Rajonin e Prizrenit gjatë vikendit ka shqiptuar 305 gjoba për personat të cilët nuk respektuan masat antiCOVID-19 dhe 4 flet-paraqitje për lokalet që nuk respektuan orarin.

Për parregullsi të dokumenteve dhe leje qëndrimi jo të rregullta, në këto lokale, Policia ka gjetur dhe ndaluar 23 punëtore-valltare nga Republika e Shqipërisë, të cilat dorëzohen te Drejtoria për Migrim dhe të Huaj.

Përgjatë aktiviteteve në këtë fundjavë Policia në Prizren ka kryer kontrolle dhe ka ndaluar 3 persona të cilët kanë qenë të kërkuar me urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Prizren, të ndaluarit akuzohen për vepra të ndryshme penale, për fajde, organizimin e skemave piramidale dhe dhunë në familje.

Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e shtetit.