Policia thotë se po e përmbush urdhëresën e gjykatës në rastin Molliqaj

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot, konform detyrimit ligjor, ka realizuar një urdhër arrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë, respektivisht Departamenti i Përgjithshëm.

“Urdhër-arresti është e nxjerrë me datën 12.05.2019, dhe në të janë specifikuar detyrimet, për policinë, që i pandehuri D.M, të dërgohet në Objektin e Pallatit të Drejtësisë, saktësisht në Prokurorinë Themelore. Aktualisht policia sipas rregullit po kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale për të përmbushur plotësisht urdhëresën e gjykatës”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Partia Socialdemokrate ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të deputetit Dardan Molliqaj. “PSD është për shtet të së drejtës, ku respektohet liria për protestë dhe kritikë. Prandaj, për ne është e papranueshme çfarëdo përpjekje për cenimin e tyre”, thuhet në njoftimin e PSD-së.