Portieri i Partizanit dyshohet se është hedhur nga kati i 6-të i banesës pas ndeshjes ndaj Teutës

Portieri i Partizanit, Aldo Teqja dyshohet se është hedhur nga kati i gjashtë i banesës pas ndeshjes ndaj Teutës.

Policia e Tiranës ka thënë se dyshohet që 24 vjeçari ishte në gjendje të rënduar psikologjike.

“Rreth orës 19:40 në rrugën “Medar Shtylla”, dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike, është vetëhedhur nga kati i 6-të i banesës shtetasi A. T.,24 vjeç,i cili u dërgua në spital për ndihmë të specializuar mjekësore”, thuhet në njoftimin e Policisë, raporton TCH. “Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”.

Derisa këtë e ka konfirmuar edhe klubi i Partizanit, që ka thënë se aktualisht Teqja është jashtë rrezikut për jetë.

“Klubi njofton se pjesëtari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani – Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë nën mbikëqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të klubit”, thuhet në njoftimin e Partizanit.

Partizani sot ka ndarë pikët me Teutën, duke barazuar me rezultat 1 me 1.