Presidenti Clinton merr pjesë në shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë

Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, do t’i bashkëngjitet popullit të Kosovës në shënimin e 20 viteve të lirisë, dhe do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, njofton Këshilli Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.

Më 12 qershor 2019 Kosova shënon 20 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-së. Shënimi i këtij përvjetor historik të Kosovës po bëhet bashkë me miqtë dhe aleatët, me të cilët Kosova ndanë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë.

Ish-Presidenti Clinton do të mbajë fjalim në Tubimin Qendror për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë, që mbahet të mërkurën në sheshin “Skëndërbeu” në ora 11:00.

Të gjithë qytetarët e Kosovës janë të ftuar që të marrin pjesë në tubimin qendror, për ta falënderuar Presidentin Clinton për lidershipin e tij në ndërtimin e paqes në Kosovë dhe përkrahjen e tij të vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në tërë rajonin, njofton Këshilli Organizativ për Shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-së në Kosovë.