Presidenti libanez Michel Aoun, ka thirrur takim urgjent të Këshillit Mbrojtës, shkruan France Press.
Në anën tjetër kryeministri libanez Hasan Diab, ka paralajmëruar për nesër se do të jetë ditë zie për të nderuar viktimat e shpërthimeve të fuqishme, që kanë bërë rrafsh me tokë pjesën më të madhe të Bejrutit pranë portit detar, duke shkatërruar ndërtesa të shumta, transmeton Telegrafi.
Zyrtari i Kryqit të Kuq libanez, George Ketaneh, ka deklaruar se janë me qindra të vdekur dhe të plagosur. E siç raporton CNN është shkatërruar edhe pallati presidencial.
Një zyrtar i Mbrojtjes Civile ka thënë se ka ende persona në portin detar që kanë ngecur nën rrënoja të ndërtesave, shkruan AP.
Ende nuk dihet shkaku i shpërthimeve në qytetin që prej vitesh ka qenë cak i bombardimeve gjatë luftës qytetare, sulmeve kamikaze dhe bombardimeve nga forcat izraelite.
Raportohet se dhjetëra autoambulanca kanë transportuar të lënduarit në afërsi të portit detar, ku shumë prej tyre qëndronin të shtrirë të mbuluar në gjak, derisa zjarri përpinte gjithçka para vetes.
Televizionet lokale kanë raportuar se shpërthimi ka ndodhur në një depo të mjeteve piroteknike, dhe se zjarri ka kapluar një objekt tjetër afër duke nxitur shpërthimin e dytë që ishte edhe më i fuqishëm.
Dëshmitarët okularë e kanë krahasuar këtë shpërthim me ato të bombave bërthamore, shkruan Associated Press. E siç raporton France Press, duke u thirrur në burime brenda organeve të sigurisë, bëhet fjalë për eksplozivin e konfiskuar në port që ka shpërthyer. /Telegrafi/