Presidenti Thaçi: Kosova e gatshme t’i dërgojë ndihmë Turqisë së goditur nga tërmeti

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur përkrahjen e Kosovës ndaj të goditurve nga tërmeti i sotëm në Turqi.

“Zemrat tona janë me familjet e viktimave dhe atyre që u lënduan nga tërmeti që goditi qytetin Elazig në Turqi. Kosova është e gatshme të dërgojë ndihmë të menjëhershme operative. Ne qëndrojmë pranë popullit dhe Qeverisë së Turqisë në këto momente tragjike”, ka shkruar Thaçi, në një postim në profilin e tij në rrjete sociale, njofton Lajme365.

Ministri i Jashtëm në detyrë, Behgjet Pacolli, më herët deklaroi se Forcat e Sigurisë së Kosovës janë të gatshme të ofrojnë çdo ndihmë të nevojshme për zonat e prekura nga tërmeti i sotëm në Turqi.

“Ne po e ndjekim nga afër situatën nga tërmeti në Turqi. Lutemi dhe shpresojmë që të mos ketë viktima, mendimet tona janë me miqtë tanë turq”, ka shkruar Pacolli, në një postim në Twitter, njofton Lajme365.

Tërmeti me magnitudë prej 6.8 shkallë të Rihterit ka goditur pjesën juglindore të Turqisë, me epiqendër qytezën Sivrice, 34 kilometra nga qyteti Elazig, njofton Lajme365.

Tërmeti ka goditur në ora 20:55 minuta në kohë lokale.