Presidenti Thaçi takohet me Presidentin e SHBA-ve Trump

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Takimi Thaçi-Trump është realizuar në New York të SHBA-ve.

Presidenti Thaçi atje po merr pjesë në punimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Njoftimi për takimin me Presidentin Amerikan Trump, e ka dhënë vetë Presidenti Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjete sociale, raporton Lajme365.

“Kënaqësi e veçantë të takoj përsëri Presidentin e SHBA-së, Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, dhe të shpreh mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo mbështetje ka qenë përcaktuese, fillimisht për mbijetesë, e më vonë për jetësimin e aspiratës për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se mbështetja gjithëpërfshirëse amerikane është jetike për ruajtjen e paqes dhe stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën.

“Nuk do të lejojmë që të cenohet kurrë marrëdhënia speciale që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Thaçi.