Presion ndaj subjekteve politike për formimin e shpejtë të institucioneve

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit Kosova mund të shkojë përsëri në zgjedhje të reja nëse dështon zgjedhja e presidentit.

Diplomatët ndërkombëtarë janë kundër opsionit që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje.

Emir Abrashi thotë se subjektet politike duhet të marrin parasysh qëndrimin e ndërkombëtarëve në raport me këtë çështje.

“Përfaqësuesit e korit diplomatik  të akredituar në Kosovë, tashmë kanë bërë të qartë qëndrimet e tyre dhe të qeverive të tyre që ata që përfaqësojnë lidhur me krijimin e institucioneve të reja. Kjo duhet të jetë këmbanë alarmi edhe për subjektet tona politike që të mos zvarrisin krijimin e institucioneve të reja në vend”, tha Emir Abrashi për RTV Dukagjinin.

Politologu Muhamet Bytyçi thotë se thirrjet e ambasadorëve janë përpjekje për të ndihmuar procesin.

“Sigurisht se thirrjet e ambasadorëve janë një përpjekje për të ndihmuar procesin, por është detyrë e pushtetit të gjejë zgjidhje për postin e presidentit. Është obligim i partisë fituese ndaj votuesve të gjendet zgjidhja për presidentin por edhe të krijojë konsensusin për zgjidhjen e institucioneve të reja”, deklaroi Muhamet Bytyçi.

Thirrje për formimin e institucioneve të reja kanë bërë vazhdimisht ambasada amerikane dhe ajo britanike në Kosovë./Telegrafi/