Prishtina mposhte Ballkanit dhe futet fuqishëm në garë për titull

Prishtina ka fituar derbin e javës së 18-të në Superligën e Kosovës ndaj Ballkanit.

Kryeqytetasit kanë triumfuar në frymën e fundit me rezultat të ngushtë 2-1.

Për të parë golin e parë në ndeshje u desh të pritej minuta e parë shtesë e pjesës së parë, kur Otto John realizoi pasi kaloi bukur portierin Rugji për 1-0.

Megjithatë pa u kryer pjesa e parë, kapiteni i Ballkanit, Visar Berisha shënoi me kokë për të barazuar shifrat në 1-1.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj ndeshje.

Edhe pjesa e dytë u karakterizua me raste të mira shënimi, ku më të mirin e pati Otto John i cili goditi shtyllën pasi kaluan një orë lojë.

Meriton Korenica rrezikoi nga gjuajtja e lirë, por goditja e tij u prit me shumë mund nga Eglant Haxho.

Në minutën e fundit, Leutrim Kryeziu u pengua në zonë nga Arbër Potoku dhe gjyqtari Tefik Maloku akordoi penallti për Prishtinën.

I saktë nga pika e bardhë u tregua mbrojtësi Besnik Krasniqi që me golin e tij i siguroi fitoren Prishtinës 2-1.

Me këto tri pikë, Prishtina mbetet në vendin e tretë në tabelë, por që tani ka 31 pikë, tetë më pak se lideri Drita që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Prishtina javën e ardhshme do të jetë nikoqir i Dritës në kryeqytet, teksa Ballkani do të pres Gjilanin. /Telegrafi/