Prizren, Haskuka drejt fundit të mandatit, akuza e debate me asamblistë të Vetëvendosjes

Mytaher Haskuka është në përfundimin e mandatit të tij si kryetar i Komunës së Prizrenit.
Tashmë në vitin e fundit të qeverisjes, Haskuka ka mbetur pa asnjë partner në qeverisjen lokale, dhe pjesën e mbetur të mandatit kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, do ta bëjë i vetmuar në qeverisje.

Mirëpo pos largimit të partnerëve bashkëqeverisjes, Haskuka ka humbur edhe përkrahjen e partisë dhe asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan LAJME365.

Një debat me akuza dhe kundër akuza është zhvilluar në distancë ndërmjet Mytaher Haskukës dhe disa nga asamblistët të VV-së, e që në ditët e ardhshme pritet të vazhdojë edhe në mbledhjet e këtij subjekti ku asamblistët kanë paralajmëruar se do të kërkojnë llogari për keqqeverisjen e Haskukës.

Deri te debati dhe akuzat erdhi pasi në Kuvendin e Komunës së Prizrenit u hodh në votim propozim – vendimi për marrjen e huasë në vlerë prej 5 milionë eurove nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Mirëpo ky propozim – vendim nuk ka marrë votat e mjaftueshme, Haskuka u hodh në akuza ndaj asamblistëve të Vetëvendosjes.

“Mjerimi nuk ka kufi, për inate politike” ka shkruar Haskuka, duke shkruar se “është për keqardhje që jo për herë të parë edhe disa asamblistë të Vetëvendosjes koordinohen me këta të PDK-së, LDKsë, NISMA-s dhe AAKsë, për sabotimin e projekteve qeveritare”.

Pak minuta pas këtij shkrimi ndaj Haskukës ka reaguar Karanfil Haxhillari, asamblist i Vetëvendosjes dhe shef i shtabit zgjedhor të Vetëvendosjes në Prizren, njëherë aktivist i hershëm i Vetëvendosjes.

I njëjti në mbledhjen e Asamblesë ka thënë se reagimi i Haskukës është i papranueshëm për grupin e kuvendarëve të Vetëvendosjes.

Asamblisti Haxhillari ka thënë se për votimin e këtij vendim – propozimi ishin vetëm 8 pro dhe të gjitha kundër, dhe edhe po t ishin të pranishëm e asamblistët e VV-së që kanë munguar nuk do të kishte vota të mjaftueshme për të kaluar ky propozim vendim.

Por asamblistët e VV-së nuk janë mjaftuar me kaq, pasi që asamblisti Haxhillari ka thënë se mungesën e numrave në kuvend nuk e kanë fajin asamblistët e Vetëvendosjes, e as Lëvizja Vetëvendosje “pasi pa asnjë konsultim me ta i ke humbur vet numrat”.

Asamblisti Haxhillari ka akuzuar kryetarin Haskuka se për gjatë tre vite e gjysmë qeverisje asnjëherë nuk është konsultuar me kuvendarët e Vetëvendosjes për vendimet e tij.

“ Të sulmosh kuvendarët e subjektit tënd pa asnjë fakt me të vërtet është për të ardhur keq, e këta kuvendarë që i përbuze për tre vite e gjysmë bash për asgjë nuk i pyete asnjëherë e as për buxhet, asnjë pikë e rendit të ditës nuk është vendosur në këtë Kuvend asnjëherë pa asnjë konsultim me këta kuvendarët, dhe sot të sulmon që nuk po votohen është e turpshme” ka thënë Haxhillari.

Ai tutje ka thënës se sulmi është mbrojtja më e mirë, duke i kërkuar Haskukës të shikoj kabinetin e tij dhe drejtorët e ekzekutivit “Kryetar hidhi sytë ka ekzekutivi që gëzojnë shumë privilegje”.

Asamblist Karanfil Haxhillari në fund ka paralajmëruar Haskukën se akuzat e tij dhe ky debat do të vazhdon edhe brenda partisë Vetëvendosje në mbledhje te ardhshme “ Kjo akuzë e pa bazë dhe e rëndë sigurisht edhe do të trajtohet në organe te partisë, dhe ne me padurim presim ballafaqimin në organet e partisë”./lajme365.com